Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), ka dorëzuar sot në Kuvendin e Kosovës një peticion me 20,606 nënshkrime të mbledhura në kuadër të një nisme qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se zhvilluan edhe takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.


“Sapo dolëm nga takimi me kryetarin e Kuvendit dhe e njoftuam për iniciativën qytetare dhe e njoftuam se për një kohë të shkurtër kemi mbledhur 20 mijë e 606 nënshkrime për nisëm legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale”, tha Jasharaj.

Ai shtoi se Konjufca u premtoi që brenda kompetencave të tij, do të angazhohet që kjo nismë të shkon me kohë te organet gjegjëse, në mënyrë që sa më shpejt të kaloj në parlament.

unnamed 17

Jasharaj u shpreh optimist se deputetët do t’i ofrojnë mbështetje kësaj nisme.

“Jemi të sigurt që deputetët e pozitës dhe opozitës do ta votojnë këtë nismë tonën pasi që kemi biseduar me shefat e grupeve parlamentare dhe nga të gjithë kemi marrë mbështetje”, tha ai.

Jasharaj tutje shtoi se “shpresojmë shumë që vitet e 90 do t’u kthehen si e drejt e garantuar punëtorëve të arsimit, ne po angazhohemi edhe për ata që u dëbuan dhunshëm nga puna”.

Kreu i SBAShK-ut më tej u shpreh se në këtë nismë është e përfshirë edhe që Qeveria dhe Parlamenti  ti njohin edhe vitet 2000-2001 e deri në korrikun e vitit 2002 si kontributdhënëse, pra deri në momentin kur filloi së funksionuari Trusti Pensional.

Ndryshimet në Ligjin e skemave pensionale kanë të bëjnë me kërkesën që vitet e 90-ta dhe vitet pasuese deri kur ka filluar së funksionuari Trusti Pensional i Kosovës, të njihen si kontributdhënëse që do të ishte ndihmesë jo vetëm për të punësuarit e arsim, por edhe për gjithë të tjerët që të arrijnë vitet e duhura kontributpaguese dhe të gëzojnë pension të punës e jo të mbesin vetëm me pensionin e pleqërisë pas dekadave të kaluara në punë. /Telegrafi/