Sulmuesi i Manchester United, Jadon Sancho, raportohet se është i gatshëm të bëjë një sakrificë të madhe për të kompletuar largimin nga ‘Old Trafford’ këtë verë. 

25-vjeçari e kaloi sezonin 2024/2025 në huazim te Chelsea, ku ndihmoi klubin londinez të sigurojë vendin e katërt në Ligën Premier dhe të fitojë Ligën e Konferencës, duke shënuar edhe në finalen ndaj Real Betis. 


Megjithatë, Chelsea vendosi të mos e bëjë huazimin të përhershëm dhe madje pagoi një gjobë prej 5 milionë eurosh për ta kthyer Sanchon te Manchester United. 

Me fillimin e sezonit 2025/2026 që po afron, e ardhmja e Sanchos mbetet ende e paqartë, pavarësisht interesimit nga disa klube. 

Më 31 korrik, tabloidi Mirror raportoi se trajneri Ruben Amorim e kishte detyruar Sanchon të stërvitej i vetëm, ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës mori pjesë në turneun 'Premier League Summer Series' në SHBA. 

Pra, me ditët e tij te United që duken të numëruara, ku do të luajë Sancho sezonin e ardhshëm? 

Sipas gazetës gjermane BILD, Sancho tashmë i ka dhënë sinjal Borussia Dortmundit se do të ishte i gatshëm të rikthehej, por një gjë e tillë mund të kërkojë një sakrificë të madhe financiare. 

Raporti thotë se, për ta bërë transferimin të realizueshëm, anglezi mund të detyrohet të përgjysmojë pagën e tij aktuale prej 16 milionë eurosh në vit. 

Sigurisht, Dortmundi është një klub i njohur për Sanch-n, pasi ai ka zhvilluar dy periudha te verdhezinjtë, duke përfshirë edhe atë në vitin 2024 kur ndihmoi klubin të arrinte finalen e Ligës së Kampionëve./Telegrafi/

telegrafi sport app