LAJMI I FUNDIT:

Samsung prezanton “pasqyrën inteligjente”

Samsung prezanton “pasqyrën inteligjente”

Së shpejti ju do të keni mundësi të shihni lajmet më të fundit në Facebook ose Twitter, ndërkohë që po visheni, falë teknologjisë më të fundit të ekranit të Samsung-ut.

Kompania koreane prezantoi sot “pasqyrën inteligjente”, e cila mund të përdoret për të shfaqur motin, njoftime të ndryshme apo t’ju këshillojë për veshjen.

Teknologjia konsiston në një pasqyrë 55 inç bashkuar me një ekran OLED transparent në pjesën ballore. Pajisja përfshin teknologjinë Real Sense të Intel-it, e cila përdor kamerat 3D për të provuar veshjet në mënyrë virtuale. Kjo mund të konsiderohet si një “dhomë prove virtuale”, që do të ndihmojë përdoruesit të shikojnë veten duke veshur rroba, këpucë apo bizhuteri. Samsung shpreson që kjo teknologji të përhapet shumë shpejt nëpër dyqane në të gjithë botën.

Ekrani pasqyrë i Samsung-ut mund të zëvendësojë gjithashtu pasqyrat në shtëpi në të ardhmen, për të shfaqur informacione të ndryshme për shtëpiaket. Këto ekrane mund të përdoren për të parë reklama, informacione publike dhe transporti, ose mund të përdoren në hotele apo dyqane.