Samiti SEECP në Tiranë - Shqipëria përkrah Izraelin, kritika Iranit për armët bërthamore
Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka folur për bashkëpunimet rajonale të arritura deri më tani, ndërsa përsëriti ambicien e Shqipërisë për t’u integruar në BE brenda kësaj dekade.
Gjatë fjalës hyrëse në Samit, Hasani tha se: “Synimi ynë është ambicioz, por edhe i arritshëm: për të çelur kapitujt deri në fund të këtij viti dhe për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027. Po punojmë me vendosmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade. Ky është një objektiv rajonal. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë.”
Përplasja ushtarake në Lindjen e Mesme ishte gjithashtu pjesë e fokusit të tij, teksa shefi i diplomacisë shqiptare bëri të qartë se Tirana zyrtare mbështet të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur, ndërsa i bëri thirrje Iranit të ndalojë aktivitetet bërthamore.
Sinkron: “Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet dhe për të mbrojtur qytetarët e vet nga kërcënimet. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e veta në kuadër të të drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.”
Si platformë e iniciuar nga vetë vendet e rajonit, SEECP mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit, zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe përgatitjen për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. /A2 televizion/






























