Anësori i Romës, Mohamed Salah, ka deklaruar se trajneri Jose Mourinho ishte arsye kryesore pse ai kishte vendosur të kalonte te Chelsea në vend se të shkonte te Liverpooli në janar të 2014-ës.
23-vjeçari ishte i lidhur me një kalim te Liverpooli gjatë kohës së tij te Baseli, por në afatin kalimtar të janarit kishte vendosur t’i bashkohej “Bluve” të Mourinhos.
“Liverpooli më ka kërkuar për disa muaj. Ata nisën bisedimet në tetor të 2013-ës. Negociatat morën kohë të gjatë, sepse Baseli refuzoi më shumë se një ofertë. Mendonin se oferta nuk ishte e lartë sa duhej”.
“Po pritja për Liverpoolin, sepse me të vërtetë më pëlqente. Mezi pritja t’i bashkohesha. Por më pas mora një telefonatë nga Mourinho dhe gjithçka ndryshoi. Ai më shpjegoi situatën dhe më tha se i duhem te Chelsea. Kjo ishte një nga arsyet kryesore pse iu bashkova Chelseat. Mourinho më tha se mendonte që jam lojtar i mirë dhe më donte në skuadër”, ka thënë Salah për MBC Masr, transmeton koha.net.
Salah dështoi të gjente vend në ekipin e parë të Chelseat dhe ishte huazuar te Fiorentina para se t’i bashkohej Romës në një huazim tjetër verën e kaluar.