LAJMI I FUNDIT:

Sa paguan Kosova për lobim?

Sa paguan Kosova për lobim?

Kosova për vite ka angazhuar kompani ndërkombëtare të konsulencës për të lobuar te shtetet e fuqishme. Këto kompani janë paguar me miliona euro nga buxheti i shtetit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka angazhuar një nga lobuesit më të njohur në Uashingtonin e Trumpit, Brian Ballard, të cilin e paguan 52 mijë euro në muaj, apo 1.2 milion dollarë për shërbimin, siç parashihet në kontratë, shkruan Politico.

Në bazë të dokumenteve zyrtare, Kosova paguan kompanitë lobuese amerikane që nga vitit 1992.


Marrëveshja ndërmjet presidentit të Kosovës dhe kompanisë lobuese “Ballard Partners”, ishte nënshkruar më 22 dhjetor të vitit 2017.

Në një përgjigje të Zyrës për informim të Presidencës së Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë, thuhet se deri në kontraktimin e kësaj kompanie është ndjekur çdo procedurë ligjore, që konkretisht kishte nisur pas kërkesës që Presidenca i kishte bërë Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa për ndarje të buxhetit shtesë për angazhimin e një kompanie ndërkombëtare të konsulencës.

Kjo kompani, sipas Presidencës, do të mbështesë nismat e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, do të ndihmojë në krijimin e një dinamike të re në procesin e pajtimit, por edhe në proceset tjera siç është modernizimi dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca shumetnike.

“Kjo kompani do të ndihmojë edhe në modernizimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë në një forcë shumetnike dhe në implementimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit. Gjithashtu, kjo kompani amerikane do të ndihmojë Kosovën edhe në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë, nxitjen e investimeve tregtare”, thuhet në përgjigjen e Presidencës së Kosovës.

Sipas Politicos, presidenti i kompanisë, Brian Ballard, njëherësh njëri prej fondmbledhësve kryesorë për presidentin aktual amerikan, kishte biseduar shkurt në Florida me presidentin Trump më 22 prill, rreth marrëdhënieve të SHBA-së me Kosovën, si dhe i kishte transmetuar kërkesën e ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku për një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan Politico.

Ndërkohë, bazuar në një shkresë zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, kjo kompani lobon për Kosovën që nga viti 2017.

Një nga partnerët e Ballardit, është edhe Xhejms Rubin, ish- asistent i sekretarit të shtetit në administratën e ish-presidentit Bill Clinton.

Në bazë të shkresës zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, kjo kompani në disa raste kishte informuar zyrtarët në Qeverinë amerikane rreth ngjarjeve dhe zhvillimeve në Kosovë.

Para se të lidhej kontrata me Ballardin, për Kosovën kishte lobuar Toni Podesta, vëllai i Xhon Podestës që ishte shefi i stafit në administratën e presidentit Clinton, e më vonë shef i kompanisë së Hilary Clintonit.

Kosova kishte paguar “Podesta Group”-in rreth 50 mijë euro në muaj për lobim.

Gjatë kohës kur ministër i Jashtëm ishte Enver Hoxhaj, në vitin 2017, Kosova kishte angazhuar për lobim edhe kompaninë e avokaturës “Alston & Bird LLP” për këshillime strategjike në lidhje me raportet e Kosovës me Qeverinë dhe Kongresin amerikan.

Për këto shërbime, Kosova kishte paguar këtë kompani me 780 mijë dollarë. Marrëveshja kishte zgjatur nga 01.03.2017 deri më 28.02.2018.

Marrëveshjen në emër të kësaj kompanie e kishte nënshkruar senatori i njohur Robert Dole. E njëjta kompani kishte një marrëveshje të mëhershme me ish-presidentin Ibrahim Rugova në vlerë prej 360 mijë dollarësh, gjatë vitit 2003.

Në disa raste, për Kosovën në SHBA ka lobuar edhe kompania “Patton Boggs”.

Përndryshe, Kosova ka paguar për lobim që nga viti 1992. Sipas informatave të Ministrisë amerikane të Drejtësisë atë kohë përgjegjëse për lobim ishte kompania “Ruder Finn”. Ajo kishte për detyrë të angazhohej në zbatimin e strategjisë dhe taktikave për komunikim me Qeverinë amerikane, mediat, me Kombet e Bashkuara si dhe diplomatët ndërkombëtarë.

Vlera e kontratës atë kohë ishte 5 mijë dollarë në muaj.

Në anën tjetër, jo të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës pajtohen që vendi të ketë kompani ndërkombëtare të konsulencës.

Zëvendësministri Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se forma më e mirë e lobimit është promovimi i njerëzve të kulturës e sportit.

Ai thekson se Kosova duhet të tregojë vetë se kush është me vizitat që përfaqësuesit e shtetit i bëjnë në shtetet e Evropës dhe në Amerikë.

“Nuk jam entuziast i madh i kompanive të marketingut, e të tjera, mendoj që marketingu më i mirë është që institucionet të funksionojnë, shoqëria të funksionojë dhe ambasadat tona të jenë në nivelin e detyrës dhe të japin shembull të mirë në shtetet ku jemi prezent. Po ashtu, edhe përmes aktivitete kulturore dhe sportive siç kemi pasur raste, mendoj se këto janë mënyrat më të mira”, vlerëson Berisha.

Angazhimi i kompanive ndërkombëtare për lobim, nga përfaqësues të shoqërisë civile, konsiderohet i drejtë. Por, sipas drejtorit të Organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, lobimet që janë zhvilluar nga cilado kompani ndërkombëtare, kanë arritur të bëjnë shumë pak.

“Duhet të ketë lobim pasi që po nuk pate lobim, e ke të pamundur të takosh figurat politike të shteteve të fuqishme, por vetëm në këtë sferë lobim për takime të ndryshme, takim për të pasur njohje nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën ose lobim për t’u anëtarësuar në organizatat e ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, por jo imazhit, sepse imazhi është shkatërruar nga brenda dhe rregullohet duke u reformuar nga brenda”, vlerëson Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

Një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2018, institucionet e Kosovës u përpoqën që përmes një reklame televizive prej 60 sekondash të krijojnë një imazhi të ri për Kosovën.

Por, sipas Demhasajt, as kjo kampanjë, për të cilën Kosova dha miliona euro, nuk arriti ta rregullojë imazhin e Kosovës në botë.

“Projekti i madh Young Evropian, projekt që ka kushtuar mbi 5 milionë euro për ta paraqitur Kosovën si një vend i ri, një vend me perspektivë, por që nuk ka luajtur atë rol, Kosova prapë mbetet një nga vendet që mbetet më të korruptuara në rajon dhe më të pazhvilluar. Ky imazh i keq nuk buron nga qytetarët, por nga qeverisja e jo e mirë që ka bërë politika e Kosovës”, thotë Demhasaj.

Kosova nuk është vendi i vetëm në rajon që paguan për lobim. Ka ndodhur që si Kosova, ashtu edhe Serbia, të paguajnë të njëjtën kompani për lobim, siç ishte rasti me Podesta Group.

Në trend Lajme

Më shumë
Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Lajme
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Kronika e Zezë
Deliu: Ministria e Bujqësisë refuzoi projektin e grave të Krushës, por ia ndau 100 mijë euro vëllait të Fitore Pacollit

Deliu: Ministria e Bujqësisë refuzoi projektin e grave të Krushës, por ia ndau 100 mijë euro vëllait të Fitore Pacollit

Lajme
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Lajme
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
“Kokteji është pija e aristokracisë”, Rama përplaset me bartenderin në podcastin “Flasim”: Po vera? Një përzierje e gabuar të çon në dhimbje koke

“Kokteji është pija e aristokracisë”, Rama përplaset me bartenderin në podcastin “Flasim”: Po vera? Një përzierje e gabuar të çon në dhimbje koke

Lajme
Kalo në kategori