LAJMI I FUNDIT:

Rusi, plane për protesta masive ndërsa Perëndimi paralajmëron Moskën

Rusi, plane për protesta masive ndërsa Perëndimi paralajmëron Moskën

Aleatët e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny zbuluan të dielën planet për ato që shpresojnë të jenë protestat më të mëdha në historinë moderne të Rusisë të cilat priten të zhvillohen të mërkurën.

Njoftimi i tyre vjen ndërsa Uashingtoni ka paralajmëruar Moskën se do të paguajë një çmim nëse zoti Navalni vdes në burg për shkak të grevës së urisë.

“Gjërat po zhvillohen shumë shpejt dhe po shkojnë shumë keq”, shkruanin aleatët e tij në një deklaratë në internet, duke njoftuar planet e tyre për demonstrime mbarëkombëtare në rrugë, të cilat ata i karakterizuan si një përpjekje për t’i siguruar atij kujdesin e nevojshëm shëndetësor që do t’i shpëtonte jetën.


Por demonstratat do të jenë gjithashtu dhe një protestë ndaj goditjes që autoritetet ruse u kanë bërë mbështetësve të zotit Navalni.

“Një situatë ekstreme kërkon vendime ekstreme”, thanë ata.

Të dielën Këshilltari i Presidentit Joe Biden për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan tha për rrjetin televiziv CNN se qeveria amerikane i ka thënë Rusisë se “do të përballet me pasoja” nëse kritiku i Kremlinit Aleksei Navalni vdes në burg.

“Ne i kemi bërë të ditur qeverisë ruse se ajo që i ndodh zotit Navalni në burg është përgjegjësi e tyre dhe se bashkësia ndërkombëtare do t’i vendosë ata para përgjegjësisë”, tha zoti Sullivan për rrjetin CNN.

Zoti Sullivan tha se në këtë drejtim po shqyrtohen një seri masash që do të rëndojnë mbi Moskën, por pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë. /VOA/