Anëtari i bordit mbikëqyrës të Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, ndau mendimet e tij mbi formatin e ri të Ligës së Kampionëve, të cilin e vlerëson maksimalisht për dallim nga i mëparshmi.

Sezoni i ri i Ligës së Kampionëve fillon sonte (e martë), dhe raundi i parë do të luhet gjatë tre ditëve, nga e marta deri të enjten, me gjashtë ndeshje të planifikuara çdo ditë.


Këtë vit, 36 klube do të luajnë kundër tetë kundërshtarëve në një ligë, ndërsa tetë të parat do të avancojnë direkt në raundin e 1/8-tës. Ekipet nga vendi i 9-të deri në të 24-tin luajnë dy ndeshje ‘play-off’, të cilat japin tetë pjesëmarrës të tjerë në fazën e 1/8-tës dhe një total prej 16 ekipesh që fillojnë fazën eliminatore.


Për këtë format ka folur edhe legjenda gjermane, Rummenige, i cili ka lavdëruar sistemin e ri.

“Formati i ri i Ligës së Kampionëve është një përmirësim i dukshëm. Në fazën e vjetër të grupeve, gjithçka vendosej shpesh pas raundit të katërt. Bayerni avanconte rregullisht në fazën eliminatore dhe kishte një ose dy ndeshje që nuk kishin kuptim”, ka thënë fillimisht Rummenige.

"Para së gjithash, unë jam një tifoz i futbollit. Fakti që katër ekipet kryesore - Bayern, Real Madrid, Manchester City dhe PSG - duhej të luanin në ndeshjet vendimtare të ‘playoff’-it për të avancuar sezonin e kaluar më tregoi se sa më interesant është ky format".

"Ekipet e mëdha e kuptuan se duhet të japin gjithçka që nga fillimi për të hyrë në tetë vendet e para - sepse kjo është pikërisht ajo që të gjithë duan. Një vit më parë shumë gjëra ishin ende të reja; disa klube të mëdha i morën një ose dy ndeshje me më shumë qetësi. Tani pres që ata me siguri të mësojnë".

“Për tifozët, gara tani është shumë më emocionale. Ata kontrollojnë vazhdimisht telefonat e tyre: ku është Bayern? ku është Real? UEFA bëri një revolucion të vërtetë”, përfundoi legjenda gjermane. /Telegrafi/

telegrafi sport app