LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi i LDK-së: 1 milion euro digjen çdo ditë duke mos e riparuar Bllokun A5

Rukiqi i LDK-së: 1 milion euro digjen çdo ditë duke mos e riparuar Bllokun A5

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi thotë se Kosova po djeg 1 milion euro në ditë nga importi i energjisë elektrike, për shkak se Blloku A5 i termocentralit “Kosova A” është jashtë funksionit që nëntë muaj.

Sipas Rukiqit, Blloku A5 mbulon 13 për qind të nevojave të energjisë elektrike në Kosovë.

“Neglizhenca dhe paaftësia e Qeverisë në sektorin e energjisë: 1 milion euro digjen çdo ditë. Si rezultat i kësaj paaftësie, mes të tjerash, faturat e energjisë na janë rritur për 15 për qind. Pse? Blloku A5 i termocentralit ‘Kosova A’ prodhon mjaftueshëm energji elektrike për të mbuluar rreth 13 për qind të nevojave për Kosovë. Ky bllok është lënë jashtë funksioni qe 9 muaj me radhë”, thotë Rukiqi.


Ai shton se nëse nuk do të zvarritej funksionalizimi i këtij blloku, nuk do të rriteshin tarifat e rrymës, që janë rritur për 15 për qind nga muaji prill.

“Për çdo ditë që kemi blerë energji elektrike për të mbushur zbrazëtirën që do të mund ta mbulonte Blloku A5, Kosova ka paguar rreth 1 milion euro import ditor. Nëse nuk do të ishte zvarritur remonti i këtij blloku nga pushteti, nuk do të kishte ngritje të çmimit të rrymës prej 15 për qind. Kjo qeveri është e paaftë! Kjo paaftësi po na kushton shtrenjtë”, përfundon ai. /Telegrafi/