Rui Costa është rikthyer në qytetin e Milanit për ndeshjen e së martës mbrëma në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve ndërmjet Interit dhe Benficas dhe megjithëse ish-ylli i kuqezinjve ka këmbëngulur se nuk ndjen asnjë sens rivaliteti me Nerazzurrët, ai gjithashtu na rikujtoi se është një tifoz i kuqezinjve.
Costa është emëruar president i Benficas në vitin 2021 dhe siç është zakon përpara ndeshjeve të Ligës së Kampionëve ai u ftua për drekë nga homologët e tij të Interit.
Me të mbërritur, Costa u ndal për t’iu përgjigjur disa pyetjeve të gazetarëve që ishin mbledhur jashtë në rrugë në pritje te tij.
Duke vlerësuar ndeshjen e së martës, Costa tha: “Padyshim që pres një atmosferë të shkëlqyer, ne po luajmë në Ligën e Kampionëve në “San Siro”, me një ekip brilant”.
Ndeshja e së martës mbrëma do të jetë një përsëritje e çerekfinales së Ligës së Kampionëve 2022-23, të cilën Interi e fitoi 5-3 pas dy ndeshjeve.
“Nuk ka hakmarrje”, ka thënë Costa. “Ne humbëm sezonin e kaluar kundër finalistëve, atëherë ishte çerekfinale, por tani është faza e grupeve. Ne duhet të fitojmë sepse tashmë kemi humbur ndaj Salzburgut”.
Më pas, ish-reprezentuesi portugez u pyet se si ishte të kthehesh në Itali për të luajtur kundër një prej skuadrave rivale.
“Të luash kundër italianëve është gjithmonë e veçantë, kam kaluar 12 vite duke luajtur në Itali. Nuk kam ndjenja rivaliteti, i respektoj të gjithë, por padyshim që jam mbështetës i Fiorentinës dhe Milanit”, përfundoi Costa./Telegrafi/