Rugova 30-vjeçar është rikuperuar plotësisht nga lëndimi që e mbajti për një vit jashtë parketit, për të arritur marrëveshje me ekipin nga Prizreni. Marrëveshja është arritur për një vit me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, ndërsa gjithçka do të zyrtarizohet gjatë ditëve në vijim.

“Kemi arritur marrëveshje me Granit Rugovën. Ai është pajtuar me kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi”, ka thënë zyrtari i Bashkimit, Shpend Kume, të premten.


Marrëveshja është konfirmuar edhe nga vetë Rugova, i cili me padurim po pret të kthehet në parket pas një pauze të gjatë, përcjell koha.net. Rugova ka pushuar gjatë tërë edicionit 2014/15 pas operimit të gjurit.

Lojtari i krahut gjatë karrierës ka qenë pjesë e Sigal Prishtinës, duke fituar tituj të shumtë kampioni dhe për të Bashkimi është ekipi i dytë në karrierë, në Kosovë. Një kohë luajti edhe në SHBA.

“Kemi gjetur gjuhë të përbashkët me Bashkimin dhe ditëve në vijim do ta firmos kontratën. Kam pauzuar për një edicion për shkak të lëndimit të gjurit, por tash jam i gatshëm për lojë. Në kontrollin e fundit më është konstatuar se lëndimi është sanuar plotësisht dhe vetëm me duhet të përgatitem fizikisht”, ka deklaruar Rugova, transmeton Koha.net.

Ai thotë se kaluar nëpër kohë të vështirë gjatë periudhës së rikuperimit edhe pse tregon se nganjëherë ka luajtur basketboll me shokë, sa për hobi. Ai shpreson që ta ndihmoj Bashkimin për të arritur synimet që ka për edicionin e ri. Ekipi nga Prizreni do të marrë pjesë edhe në Ligën Ballkanike, së bashku me Sigal Prishtinën e Pejën.

“Kam qenë pjesë e Sigal Prishtinës në Ligën Ballkanike dhe tash shpresoj ta ndihmoj Bashkimin, i cili këtë vit do të debutojë në këtë ligë. Po ashtu shpresoj se do t'i arrijmë synimet edhe në kampionatin e Kosovës”, tha Rugova.

Përgatitjet te Bashkimi për edicionin e ri pritet të nisin në fillim të muajit shtator. Rugova është vetëm përforcimi i dytë te ekipi nga Prizreni pas Gerti Shimës. Ndërsa bashkëpunimi është vazhduar me Endrit Hysenagollin.

telegrafi sport app