Rritet kërkesa e brendshme për naftë, në 5 muaj u importuan 280 mijë tonë

Nafta dhe benzina po kthehen ndër produktet me konsum të lartë në Shqipëri.
Në 5 muajt e parë të vitit, janë zhdoganuar 280 mijë tonë karburant, ose 32 mijë tonë më shumë se vitin e kaluar.
Të dhënat që publikon Ministria e Financave, tregojnë se rritja e konsumit të lëndëve djegëse, si një nga produktet kryesore që ndikon në zinxhirin ekonomik të mallrave dhe shërbimeve, sinjalizon rritje të kërkesës së brendshme, me më tepër shpenzime nga qytetarët dhe turistët që vizitojnë vendin tonë.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre të fundit, me automjete personale apo marrin makina me qira, ka bërë që të rritet ndjeshëm konsumi.
Një tjetër arsye per konsum të shtuar, lidhet edhe me çmimin e qëndrueshëm që ka pasur nafta këtë periudhë, e cila është tregtuar më lirë në raport me luhatjet qe solli lufta Rusi-Ukraine në vitin 2022 dhe çmimit që mund të rezervojë e ardhmja nga konflikti Iran-Izrael.
Sot një fuçi naftë në bursën europiane tregtohet për 76 dollarë dhe ky çmim është rritur rreth 15%, gjatë kësaj jave, por ende nuk është reflektuar në treg.


















































