Rritet me 23 për qind numri i netëqëndrimeve të turistëve të huaj në Shqipëri

Turizmi në Shqipëri njeh rritje jo vetëm në shifrat e turistëve që e vizitojnë nga viti në vit, por edhe se ata po qëndrojnë më gjatë.
Të dhënat e strukturave akomoduese të publikuara nga INSTAT tregojnë se në muajin prill 2025, u shënua rritje e ndjeshme e vizitorëve dhe netëqëndrimeve, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas INSTAT, netëqëndrimet gjithsej për turistët e huaj që vizituan Shqipërinë gjatë muajit prill rezultojnë se u rritën me 23 për qind.
Referuar statistikave, në prill 2025, shumica e vizitorëve që u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Italia 16 për qind, Kosova 14 për qind, dhe Gjermania 8 për qind. Polonia dhe Mbretëria e bashkuar kontribuuan përkatësisht me 7 për qind dhe 6 për qind të vizitorëve, ndërsa 49 për qind e tyre ishin nga vende të tjera.
Të dhënat reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës.
Gjatë kësaj periudhe thekson INSTAT, fluksi turistik duket se ka qenë i shpërndarë kryesisht në rajonin qendror. Sipas INSTAT rritja më e madhe e vizitorëve jorezidentë u shënua në zonat jobregdetare me 8,5 % pasi kjo periudhë korrespondon me periudhën e dimrit dhe të pranverës. /j.p/





















































