Rregullohet infrastruktura në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjilan

Investimet në infrastrukturën e lagjeve të qytetit të Gjilanit po vazhdojnë me intensitet, ku një ndër projektet e fundit është rregullimi i rrugës “Vëllezërit Frashëri” në lagjen Dheu i Bardhë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka vizituar nga afër punimet në këtë rrugë, e cila ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit.
Projekti përfshin jo vetëm asfaltimin dhe ndërtimin e trotuareve, por edhe rregullimin e rrjetit të kanalizimit, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet për banorët.
“Pas shumë punimeve në terren, rruga ‘Vëllezërit Frashëri’, me gjatësi mbi 500 metra dhe gjerësi 5 metra, përfaqëson një arterie shumë të rëndësishme, jo vetëm për lagjen Dheu i Bardhë, por për të gjithë qytetin,” u shpreh Hyseni.
Ai shtoi se ky investim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së banorëve.
“Me asfaltimin, trotuaret e reja dhe intervenimet në kanalizim, po zgjidhim një problem të madh për banorët e kësaj zone, duke ofruar siguri më të madhe, infrastrukturë më funksionale dhe cilësi më të mirë jetese”, tha Hyseni. /Telegrafi/



















































