Rrëfimi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës: Na pyesnin "ku e keni NATO-n"

Kishin qenë duke u larguar nga fshati me 15 traktorë, burra dhe gra së bashku, kur ranë në pritë të ushtarëve serbë.
Kështu e nis historinë e saj e mbijetuara e radhës e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë, në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit.
Pasi ushtarët i kishin ndarë burrat nga gratë, këto të fundit u përballën me një prej armëve më të rënda të luftës: dhunën seksuale.
“Na ndanë burrat dhe na futën brenda. Më vonë erdhën, na tërhoqën zvarrë dhe na çuan në dhoma lart. Na dhunuan, na zhveshën, teshat na i prenë me thikë. Jo vetëm teshat, por edhe lëkurën e trupit na e çanin. Për orë të tëra na mbanin aty, na maltretonin dhe na rrihnin. Na thoshin: ‘Ku e keni NATO-n?’ dhe përmendnin emrat e udhëheqësve të saj, si Xhimi Shea…”, rrëfen ajo.
Sipas saj, burrat ishin ngujuar në hambarë, të rrahur dhe të detyruar të dëgjonin britmat e grave dhe fëmijëve.
Ajo thekson se ushtarët serbë nuk kursyen askënd, pavarësisht moshës.
“Ka pasur shumë gra, vajza, plaka. Nuk është kursyer asnjë moshë. Plakat i rrihnin, i zhveshnin lakuriq dhe i godisnin… Po, i rrihnin”, kujton ajo, duke shtuar se mes viktimave kishte edhe fëmijë.
Përveç dhunës seksuale dhe asaj fizike, torturat ishin nga më çnjerëzoret. Në natën e festës së Bajramit, ushtarët serbë i bënë një pyetje makabre:
“Cilin fëmijë do të ta presim për ta bërë kurban? Këtë nuk e harroj kurrë dhe nuk mund ta fal. E harrova veten, kur më erdhi puna te fëmija. Më gjuajtën djalin nga prehri, ma morën…”
Djali i saj ishte vetëm dy vjeç. Pas kësaj, e morën edhe atë me dhunë.
“Ma kapën djalin dhe e hodhën. Pastaj më kapën mua për flokësh. Unë nuk doja të shkoja, po bërtisja ‘s’dua, s’dua’. Më tërhoqën zvarrë për shkallë. Ishte mbrëmje… Na çonin nëpër dhoma, teshat na i prenë me thikë. Tri ditë nuk kishim asgjë për të veshur.”
Gjatë gjithë kohës, pyetja që përsëritej nga ushtarët ishte e njëjta:
“Ku e keni UÇK-në? Ku e keni NATO-n?”

















































