Amir Rrahmani e ka dhënë një intervistë për të përditshmen kroate “Vecernji”, në versionin e saj online, ku ka folur për eksperiencën e tij në Dinamo Zagreb, e mbi të gjitha për ndeshjen ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 2 shtator në stadiumin Maksimir të Zagrebit, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2018.
Futbollisti kosovar shprehet optimist para ndeshjes me kroatët, pasi thotë se kosovarët do të luajnë për veten, pa marrë parasysh se kroatëve u nevojiten pikët për t’u kualifikuar në “Russia 2018”.
“Do të jetë e vështirë për ne në Maksimir, e dimë se Kroacia ka lojtarë më të mirë”, ka thënë fillimisht Rrahmani.
Kosova ka humbur 0:6 në ndeshjen e parë me kroatët në Shkodër, ndërsa të vetmen pikë që e ka marrë ishte ajo në udhëtim, ndaj Finlandës.
“Shikoni, ne luajmë për vetveten, duam të rritemi në renditje me rezultate më të mira, që ta përmirësojmë statusin, nëse duam të kemi kundërshtarë më të dobët në kualifikimet e ardhshme”, ka shtuar qendërmbrojtësi kosovar.
I lumtur në Dinamo Zagreb
Rrahmani iu bashkua së fundmi Dinamos pasi ishte huazuar sezonin e kaluar nga gjiganti kroat tek Lokomotiva e Zagrebit. Tash, ai synon ta tregojë veten dhe të mbetet në ekipin më të madh kroat.
“Është fantastike, e di se sa e madhe është Dinamo, ky ekip ka potencial të madh. Jam i impresionuar me përgatitjet”, ka nënvizuar 23-vjeçari, transmeton Zëri.
Dinamo ka mbetur mjaft e kënaqur me paraqitjet e përfaqësuesit kosovar në ndeshjet përgatitore, ndërkohë që, përpos sigurisë që e ka shfaqur në mbrojtje, e ka shënuar edhe një gol për ekipin nga Zagrebi.
“Punë imja është ta bëj më të mirën që mundem. Nuk mund të them se do të jem në top 11 të ekipit, është herët për këto konkludime. Por, do të mundohem të koncentrohem në veten dhe në punën time, të shohim se si do të shkojnë gjërat”, përfundoi Rrahmani.