Rrahet rëndë kandidati i FRD-së (Video)

"I drejtohem atij që e ka për detyrë të garantojë një proces të lirë dhe të ndershëm, që përpara se të flasë se ccfarë do të bëjë në vitet e ardhshme, të garantojë integritetin dhe sigurinë e zgjedhjeve. Ky shtet që operon me falangat e tij, duhet patjetër të reagojë sepse kjo ngjarje nuk nderon institucionet e Shqipërisë dhe na ve një njollë të zezë përpara ndërkombëtarëve", u shpreh Topi, në një deklaratë për media.
Të dielën kandidati i FRD-së, Mit'hat Hoxha mbeti pa ndenja në rrugë, për shkak të dhunës me mjete të forta që kanë ushtruar ndaj tij, persona të cilët i ka njohur.
"I uroj shërim të shpejtë Hoxhës dhe siguroj familjen se FRD është pranë tyre në këtë moment. FRD jo vetëm nuk shantazhohet, por do të punojë më intensivisht për të rikthyer standardet e shtetit ligjor. Nesër në Parlament dhe pse jo në Qeverisje ne do të punojmë fort për të rikthyer këto standarde", u shpreh Topi.
I lënduari Hoxha ndodhet aktualisht në Spitalin e Fierit, ku po merr edhe ndihmën mjekësore. Bashkëshortja e tij thotë se edhe më parë kanë patur kërcënime që ai mos të bënte fushatë elektorale në Roskovec.
Familjarë të kandidatit konfirmojë kërcënimet ndërsa drejtuesit lokalë të FRD thonë se tre dhunuesit janë të identifikuar.
Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë, duke marrë në pyetje dëshmitarët, por edhe kandidatin e dhunuar.
Tre ditë më parë kryediplomati amerikan Aleksandër Arvizu kërkoi garanci nga policia shqiptare për sigurimin e një klime të qetë parazgjedhore dhe gjatë ditës së votimeve.
Arvizu deklaroi për mediat se pavarësisht disa incidenteve ajo çfarë presin Shtetet e Bashkuara te Amerikës është zbatimi i ligjit.
“Njerëzit shprehin pasionin e tyre për kandidatët dhe partitë e tyre, ka patur disa incidente dhe fatkeqësisht kanë ndodhur disa prej tyre. Qartazi mbështetësit e partive politike mund ta bëjnë shumë më të lehtë jetën e Policisë së Shtetit duke zbatuar ligjet. Sigurisht mund të kesh pasione politike, por duhet ta zbatosh ligjin, duke qenë i kujdesshëm dhe kjo është ajo që SHBA pret dhe kjo është ajo që shpresojmë”, ka thënë Arviziu. /Telegrafi/




















































