LAJMI I FUNDIT:

“Roma e vjetër” poshtë katedrales së Këlnit

“Roma e vjetër” poshtë katedrales së Këlnit

Nga: Suzanne Cords

“Kemi zbuluar një terren gjigand këtu duke u kthyer mbrapsht deri në kohën romake”, thotë arkeologia Ruth Stinnesbeck. Gjigand do të thotë që rreth katër mijë metra katrorë të së kaluarës janë gërmuar nën katedrale në një thellësi prej rreth tre metra e gjysmë, në pikën më të thellë madje shkon 16 metra nën tokë. Atje poshtë ka shumë gjetje të ruajtura mirë, për t’u zbuluar, “ndryshe nga kudo tjetër në qytet, ku ndërtesat e vjetra vazhdimisht zëvendësohen me të rejat dhe si rrjedhojë nuk ka mbetur aq shumë nën tokë”, siç thotë Stinnesbeck. “Katedralja nuk është vetëm kisha e episkopale e Këlnit, por njëkohësisht edhe godina mbrojtëse për këtë areal”.

Gërmimet e gjera nisën në vitin 1946. Arkeologët shumë më herët do të kishin dashur të eksploronin mbetjet antike poshtë katedrales gotike, por për këtë u duhej të prishnin dyshemenë e saj. Autoritetet përgjegjëse nuk e lejonin një gjë të tillë, që do të kishte një ndikim të madh në funksionimin e kishës. Por, një vit pas luftës, gërmimet ishin madje të dëshirueshme: “Duhej kontrolluar nëse themelet e katedrales i kishin rezistuar bombardimeve. Katedralja kishte pësuar dëmtime të mëdha dhe përdorimi i saj ishte ndërprerë”, thotë Stinnesbeck, duke shpjeguar ndryshimin e qëndrimit ndaj kësaj çështjeje.


Fillimisht ekipi i arkeologëve donte të binte në gjurmët e katedrales së vjetër, një ndërtese nga shekujt VIII-IX. Për ekzistencën e saj dihej nga shkrimet historike. Karli i Madh (Karolus Magnus), mbreti frank, më vonë perandor i perandorisë romake të perëndimit, emëroi rreth vitit 795 mikun dhe këshilltarin e tij të ngushtë, Hildebold, si kryepeshkopin e parë të Këlnit. Ky e ndërtoi një katedrale mbresëlënëse të stilit roman, në vendin ku prej shekullit VI ndodhej një kishë pagëzimi.

“Sigurisht që nuk ka qenë e vogël”, pohon Ruth Stinnesbeck. “Kishte një gjatësi prej gati 100 metrash dhe kjo në një kohë prej gati 1200 vitesh më parë është, pa dyshim, sa dy të tretat e katedrales së sotme e cila është një nga kishat më të mëdha në botë”.

Por, thellë nën tokë arkeologët gjetën jo vetëm ndërtesën e Hildeboldit, por edhe dëshmi shumë më të vjetra të historisë së qytetit, nga koha kur Këlni quhej akoma Colonia Claudia Ara Agrippinensum. Sepse, aty dikur ishte zonë banimi e romakëve të pasur. Nën katedrale gjenden ende mbetjet e vilave të tyre luksoze, së bashku me pikturat murale në sfond mermeri dhe ngrohjen nën dysheme. “Romakët e kanë kaluar mjaft mirë këtu në provincat e ftohta veriore të perandorisë”, thotë arkeologia. Dhe, ngaqë mbetjet nën tokë nuk duken aq mbresëlënëse për një sy të paushtruar, ajo i sjell pamjet para syrit të mendjes: “Duhet të imagjinoni dy karrige me thurje, një tavolinë të vogël mermeri dhe një tas të vogël me ullinj”. Vendndodhja e vilave në afërsi të lumit, por më në lartësi – duke qenë të sigurta nga përmbytjet – ishte e privilegjuar. Edhe vreshtaria është kultivuar këtu – pija e preferuar e romakëve të lashtë.

Emri i qytetit ishte Colonia Claudia Ara Agrippinensum, “por, frankët, nga të cilët mund të gjeni edhe gjurmët në gur nën katedrale, erdhën pak a shumë pa u vënë re”, thotë Ruth Stinnesbeck. “Gjallëria e jetës ka vazhduar, le të themi pa ndërprerje. Por, në një moment Perandoria Romake i takoi historisë – dhe kështu vazhdoi me frankët”.

Reliket nga koha romake shërbyen “kur u ndërtua katedralja; njerëzit përdorën mbetjet e këtushme: një riciklim i lashtë, si të thuash. Ne sot mund të kemi gjetur një fjalë të re, riciklim, por rifutja në punë e materialeve të ndërtimit ka ekzistuar në çdo kohë”. Kështu, gurët e trashë nga koha romake u vendosën si material mbushës në themelin e katedrales së vjetër të Hildeboldit. “Ndërsa, në vende të dukshme u përdorën shpesh objekte më fine, si porfiri, një gur dekorativ në ngjyrë të kuqe të fortë apo të gjelbër”, shpjegon arkeologia.

Gërmimet e shumta nën katedrale kanë nxjerrë në pah shumë informacione interesante për antikitetin. Megjithatë, shumë vizitorë pyesin me frikë, nëse gërmimet ndikojnë në qëndrueshmërinë e katedrales. “Po, kjo është ajo që mendohet në momentin e parë”, thotë Stinnesbeck, por e kundërta është e vërteta. Fillimisht dyshemeja e katedrales ishte hedhur në tokë thjesht midis themeleve. Tani aty është instaluar një shtresë betoni i paranderur, që mban pllakat e dyshemesë së katedrales.

Në vitin 2008 u shpua një tunel përmes muraturës së katedrales e cila është 11 metër e trashë, për të siguruar hyrjen në nëntokë nga jashtë ndërtesës. “Tingëllon e tmerrshme në momentin e parë; vërtetë janë shpuar themelet e muraturës gotike”.

Ekspertët e dinin se çfarë po bënin. Që nga viti 2009 vizitorët kanë mundësinë të vizitojnë gërmimet, pa ndërprerë jetën në katedrale. Dhe, ndoshta ata do të takojnë Ruth Stinnesbeckun gjatë një vizite: “Epo, e them me sinqeritet, katedralja lart është natyrisht shumë mbresëlënëse, por zona këtu poshtë është shumë më tërheqëse”. /DW/