LAJMI I FUNDIT:

Rizvanolli: Propozimi i ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës nuk është final

Rizvanolli: Propozimi i ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës nuk është final

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se subvencionimi prej 75 milionë eurove ishte zgjidhja më e mirë që mund të bëhej për qytetarët në këto momente.

Ajo ka shtuar se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës nuk është final.

“ZRRE ka marrë një vendim nën presion politik në vitin 2021, duke hequr bllok tarifën. Vendimi i ZRRE nuk është final, por është në diskutim publik. Ne mund t’iu kërkojmë ndryshime. Kostot e importit dhe sektorit janë rritur shumë. Subvencionimi është i nevojshëm në këto rrethana. Për konsumatorët që harxhojnë nën 600 kWh çmimi do të mbetet i njëjtë, ata që harxhojnë mbi 600 kWh, subvencionimi do të zbusë dukshëm rritjen tarifore. Tarifa e lartë do të bëhet nga 0.21 në 0.14 cent, ndërsa tarifa e ultë nga 0.09 në 0.06. Subvencionimi ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve të ndjeshëm, konsumatorëve në nevojë. Tani për tani, zgjidhjen më të mirë e kemi gjetur me subvencionim”, ka thënë Rizvanolli.


Qeveria mbështet vendosjen e bllok tarifave, Kurti: Kriza energjetike do të zgjasë përtej dimrit
Lexo po ashtu Qeveria mbështet vendosjen e bllok tarifave, Kurti: Kriza energjetike do të zgjasë përtej dimrit

Ministrja përsëriti njoftimin se kostot e importit të energjisë elektrike janë rritur shumë, ndërsa tha se subvencionimi nga Qeveria është i pashmangshëm.

Rizvanolli tha se ndihma e Qeverisë do ta zbusë shtrenjtimin e rrymës, ndërsa theksoi se Ekzekutivi nuk mund të ndërhyjë në vendimet e ZRRE-së.

“Qeveria nuk miraton, as nuk ka përgjegjësi në vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe ndërhyrja në vendimet e tyre do të ishte e jashtëligjshme. Mirëpo ne zotohemi se çfarëdo vendimi që ZRRE-ja do ta marrë, ne do të përkushtohemi të ndihmojmë përmes instrumenteve që i kemi në dispozicion për të siguruar sigurinë e furnizimit me energji elektrike, mbrojtjen e konsumatorëve – në radhë të parë atyre që e shfrytëzojnë energjinë elektrike racionalisht sipas nevojës – si dhe në mbrojtje të vendeve të punës”, tha ajo. /Telegrafi/