Rinia e Rahovecit: Të zbardhet sa më shpejt rasti i Elvis Pistës

Kreshnik Haxhijaha (PDK), Gardalin Shtavica (LDK) dhe Ervin Hoxha (AAK), të tre, këta kryetarë të forumeve rinore të partive të tyre kanë kërkuar zbardhjen e rastit të Elvis Pistës dhe që Rahoveci të kthehet sërish në ambient të sigurt.
Lexoni komunikatën e plotë të rinisë së Rahovecit:
Reagim nga rinia e Rahovecit
Rinia e Rahovecit ndihet e pa sigurt – të zbardhet rasti i Elvis Pistës
Me 1 vjetorin e vrasjes së qytetarit të Rahovecit dhe humanistit të madh, Elvis Pistës, sigurisht se edhe dhembja rikthehet në mesin e zemrave të qytetarëve të Rahovecit dhe sidomos rinisë së unifikuar.
Rahoveci një vit pas vrasjes së Elvis Pistës vazhdon të jetë një ambient i pa sigurt për qytetarët e komunës dhe për vet të rinjtë e Rahovecit. Dhe sigurisht se i tillë do të jetë ky ambient, deri sa të zbardhet rasti i vrasjes së humanistit të madh rahovecian, Elvis Pistës dhe kryesit e veprës të vihen para drejtësisë.
Rinia e Rahovecit duke u bazuar në këtë rast dita ditës po e humbet shpresën dhe besimin në institucionet përkatëse të sigurisë dhe drejtësisë, e kjo rënie e besimit është evidente edhe në mesin e qytetarëve.
I bëjmë apel të gjitha institucioneve relevante, hetuesisë dhe prokurorisë, që të vazhdojnë të punojnë pa ndalur për zbardhjen e vrasjes së Elvis Pistës, dhe që këto përpjekje të mos ndalen derisa kryesit e kësaj vepre qyqare të vihen para drejtësisë.
















































