Gjenerali gjerman, Klaus Reinhardt në një shënim të tij kishte thënë se Hashim Thaçit nuk duhej besuar pasi që ai në një konferencë të përbashkët nuk ishte distancuar nga veprimet e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).

“Ai akuzon palën serbe se ka rifilluar gjenocidin dhe dëbimin e personave. Ai shpjegon situatën e refugjatëve që ka parë dhe pretendon se atyre u është dashur të kalojnë në këmbë përmes bjeshkëve me sendet e tyre të fundit. Mbase ai ka qenë në një film tjetër nga i imi. Më pas ai flet për vuajtjet e shqiptarëve që janë persekutuar që nuk janë më të gatshëm për t’i pranuar këto gjëra. Ai nuk tha asnjë fjalë që distancohet nga UÇPMB-ja”, lexoi prokurori Matt Halling dorëshkrimin e gjeneralit Reinhardt.


Veç kësaj, Reinhardt kishte thënë për Thaçin se ai nuk tha asnjë fjalë për sigurinë, por përkundrazi e tha të kundërtën e që kjo e kishte zemëruar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nuk tha asnjë fjalë për sigurinë por përkundrazi e tha të kundërtën. Dha deklarata të rreme dhe bëri propagandë. Unë jam shumë i zemëruar që nuk mund të ndërhyj tani përpara kamerave që po na xhirojnë. Sapo të dal nga dhoma, unë e ballafaqoj Thaçin. Ai është krejt i befasuar ‘më lë fare pa fjalë’. Dhe unë i thash që e tradhtove besimin tim. Ai pretendon se foli si një politikan i shqiptarëve të Kosovës dhe i thash që nuk do e bëj asnjë konferencë të ngjashme të tillë dhe do ua kufizoj deri në minimum bashkëpunimin me ju”, lexoi prokurori.

Reinhardt kishte thënë se kërcënimi për minimizim të bashkëpunimit duket se kjo nuk e bezdisë Thaçin dhe se ai i ka bërë pikat e veta kombëtare në thonjëza dhe ai pret të sigurojë miratimin e popullatës shqiptare.

Gjithashtu, u tha se Reinhardt kishte thënë për Thaçin se ky person nuk duhej besuar e që po ashtu me këtë rast ishte i inatosur edhe gjenerali Clark pasi tani i akuzuari i kishte premtuar krejt diçka tjetër.

Klaus Reinhardt, sipas dorëshkrimit, kishte dënuar ngjarjet në Luginën e Preshevës.

“Ai fillon; Mesazhi im është shumë i shkurtër. Jam shumë i shqetësuar për ngjarjet në Luginën e Preshevës, situata në kufi në mes Kosovës dhe Luginës së Preshevës mund të përshkallëzojë shumë shpejt dhe mund të ndikojë në një konflikt që mund të ndikojë në të gjithë rajonin. Kjo nuk është në interesin e gjithë popullatës, KFOR-it apo komunitetit ndërkombëtar. Prandaj, ne e dënojmë përdorimin e dhunës në këtë zonë”, lexoi prokurori dorëshkrimin e gjeneralit Reinhardt.

Ndërsa, dëshmitari Wesley Clark tha se i kujtohet kjo ngjarje dhe tha se s’ka qenë personalisht aty.

“Unë nuk kam qenë personalisht atje dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur. Por, unë e di se ishte një situatë që po bëhej një kalim i UÇK-së nga një organizatë ushtarake dhe rezistence në një person që kërkonte një të ardhme politike për veten dhe vendin e tij – Kosovën”, deklaroi Clark.

“Unë kam lexuar që ka pasur dhunë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Këtë më kujtohet që e kam lexuar”, tha tutje ai.

Përpara kësaj, kur u pyet se a e di se ku i bie Lugina e Preshevës, dëshmitari tha se është pjesë e Serbisë.

“Lugina e Preshevës është në pjesën e ish-Jugosllavisë- në Serbi”, u shpreh Clark.

Dëshmitari pohoi se kjo zonë ka qenë delikate pas periudhës së luftës, duke shtuar se ka pasur popullsi të konsiderueshme shqiptarësh që ndodhen në këtë zonë në Serbi.

Clark pohoi se shqiptarët e Kosovës e quajnë territor shqiptar Luginën e Preshevës. Gjithashtu, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Matt Halling, ai pohoi se deklaratat e tilla i rrezikonin marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Veç kësaj, dëshmitari u pyet se a është e vërtetë të thuhet se shqiptarët e Kosovës shpreheshin se dhuna në Luginën e Preshevës nuk duhej toleruar dhe ishte e rrezikshme asokohe për shkak se kjo zonë ishte pjesë e Serbisë.

“Nuk jam i sigurt se a ishte e rrezikshme. Ata e kishin të drejtën e tyre të shpreheshin, të flisnin për ndikimin e masave serbe ndaj shqiptarëve në një territor fqinj”, u përgjigj dëshmitari. /betimiperdrejtësi/