Rindërtohen parullat e Enver Hoxhës në Himarë

Ndërsa Qeveria e Shqipërisë ka miratuar një plan veprimi në kuadër të 70-vjetorit të çlirimit, Partia Demokratike ka nisur lëvizjet e para denoncuese të projekteve të qeverisë, të cilat sipas saj nderojnë Enver Hoxhën dhe janë përpjekje për të ringjallur figurën e diktatorit. Kështu, rindërtimi i një parulle në fshatin Kudhës në Himarë, është konsideruar dje nga Partia Demokratike si përpjekje e qeverisë për të rehabilituar figurën e Enver Hoxhës. “Në ditën ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të komunizmit, Edi Rama-Ilir Meta e Koço Kokëdhima po i japin jetë projektit të tyre për rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha.
Partia Demokratike denoncon përpjekjet e vazhdueshme të oligarkisë Rama-Meta-Kokëdhima, që frymëzimin e tyre nga e shkuara më e errët e vendit dhe e shoqërisë tonë, po përpiqen ta kthejnë në normë, ta zyrtarizojnë”, u shpreh Koordinatori i Partisë Demokratike për Denoncimet, Ervin Salianji. Ai ishte me banorët e fshatit Kudhës, në Himarë, ku oligarkia në pushtet, po shpenzon miliona para të taksave të qytetarëve, për të ndërtuar një vepër në përkujtim të Enver Hoxhës. Kjo nismë ka irrituar edhe banorët vendas”, ka deklaruar PD.
Koordinatori Salianji tha se qytetarët dhe Partia Demokratike do të reagojnë dhe do të jenë në çdo cep të Shqipërisë për t’i bërë ballë kësaj marrëzie, këtij glorifikimi dhe purifikimi që po u bën Partia Socialiste dhe kryeministri Rama, ose shoku Rama, ish regjimit diktatorial, si nipër dhe bijtë e etërve të tyre. “Sot është Dita e Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit e Nazizmit, dhe Edi Rama, Ilir Meta e Koço Kokëdhima provokojnë edhe një herë kujtimet më të këqija, dhe plagët më të mëdha, që sistemi më i egër komunist i Europës, la në një vend ku privoi qytetarët nga liritë dhe të drejtat me elementare dhe e çoi popullatën drejt gjendjes së urisë masive. Dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë u bënë viktima të pushkatimeve me dhe pa gjyq, burgosjeve dhe internimeve masive për gjysmë shekulli. I bëjmë thirrje autoriteteve lokale, Bashkisë së Himarës si autoriteti përgjegjës, ta ndalojë këtë ndërtim i cili është i paligjshëm ku nuk ka asnjë tabelë të tregojë se ç’po bëhet këtu", tha Salianji.
Ai u shpreh se PD do ndihmojë banorët e fshatit Kudhës nga përgatitjet e Ramës dhe Kokëdhimës, që po kërkojnë të nderojnë diktatorin Enver Hoxha.
“Jemi këtu për t’i qëndruar dhe ardhur në ndihmë banorëve të fshatit Kudhës të cilët të shqetësuar me të drejtë për një investim të bërë nga ana e qeverisë, autoriteteve lokale, ose me thënë të drejtën nga ana e partisë-shtet sepse ky investim bëhet nga kryeministri i jugut, siç njihet ndryshe deputeti i kësaj zone Koço Kokëdhima. 23 vite më parë shqiptarët, studentët, të rinjtë të lirë protestonin me këto pankarta në duar “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Poshtë komunizmi” dhe “Liri Demokraci”, pa e imagjinuar që 23 vite më pas në mes të Shqipërisë, në zonën elektorale të kryeministrit shoku Edi Rama dhe kryeministrit të jugut Koço Kokëdhima, me paratë e partisë-shtet, ka rehabilituar këto parulla të vjetra, këto parulla që do t’i kishte zili edhe regjimi me mizor që ka njohur Europa e pas Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Salianji.
Një banor i fshatit Kudhës, siç deklaron Partia Demokratike, i është ankuar Koordinatorit për Denoncimet, Ervin Salianji, për parullat e vendosura me rastin e Ditës së Viktimave të Komunizmit. “Parullat i ka bërë një fshatar i yni për para dhe erdhi Koço dhe vuri dikë t’i zbukurojë. Duam t’i heqim, por unë s’kam fuqi. Për mua është shumë keq të vendosim atë parullën e Enverit. Nuk kemi të rinj në fshat që ta prishin. Enver Hoxha i vrau dhe preu njerëzit dhe e zuri gjaku i atyre që vrau”, u shpreh Dhimitri, një prej të moshuarve të fshatit Kudhës.
Bashkia e Tiranës ka shpallur konkursin për “Monumentin për viktimat e komunizmit”. Boceti nuk duhet të jetë më i vogël se 25 cm dhe jo më i madh se 50 cm dhe artistët do të duhet të paraqesin punimet dhe CV-në e tyre. Te instituti i të Përndjekurve është në fakt një punim në kujtim të viktimave të komunizmit, por me sa duket Bashkia e Tiranës ka menduar për një monument të ri. Në fazën e parë të këtij konkursi do të përzgjidhet punimi i bocetit më të mirë, duke vlerësuar punën artistike si dhe impaktin visual në raport me evidentimin e këtij fenomeni që damkosi për disa dekada me radhë realitetin dhe historinë e shoqërisë shqiptare. Artistët pjesëmarrës duhet të paraqesin bocetin, së bashku me CV e tyre profesionale”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës. Ndërkaq, të gjithë artistët pjesëmarrës në konkurrim duhet të paraqesin bocetin për “Monumenti për viktimat e komunizmit”, pranë drejtorisë së Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës.
Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për nisjen e përgatitjeve për 70 vjetorin e Luftës Nacional Çlirimtare. Pritet të ngrihet një komision shtetëror që do vlerësojë LANÇ. Ka qenë Lëvizja Socialiste për Integrim ajo që ka kërkuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm që të merret me përgatitjen e vendit për 70-vjetorin e çlirimit të Atdheut nga okupatori nazist.
Luan Rama, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, ka theksuar se në këtë vit është i rëndësishëm edhe rikonstruktimi i të gjitha monumenteve dhe Varrezave të Dëshmorëve në rrethe për ta kremtuar sipas tij me dinjitet këtë ngjarje të madhe për shqiptarët. “Por është detyrë e qeverisë të krijojë një komision të posaçëm shtetëror, gjithëpërfshirës me qëllim që programimi i çdo detaji dhe festimi të jetë i denjë për këtë ngjarje të madhe. Në emër të LSI-së propozoj që një çështje e veçantë që duhet të meritojë vëmendjen e Qeverisë duhet të jetë edhe rikonstruktimi i Varrezave të Dëshmorëve në të gjitha rrethet dhe rikonstruktimi i të gjitha monumenteve të luftës”, është shprehur ai./SotNews/




















































