Nga: Prend Buzhala

Kur para afro tetë dekadash shkrimtari ynë për fëmijë, Rifat Kukaj botonte shkrimet e para në faqet e revistave e të gazetave për fëmijë, atëbotë letërsia shqipe në Kosovë kishte vetëm dy shkrimtarë ca më të afirmuar, siç ishin Mark Krasniqi e Rexhep Hoxha. Ishin ato vite kur përherë të parë aq vrullshëm e aq ndjeshëm fëmijët shqiptarë në Kosovë po e zgjeronin botën e tyre të përjetimeve përmes krijimtarisë në gjuhën amnore. Dhe, prej atëherë e deri më sot, Rifat Kukaj u bë shkrimtar i madh i buzëqeshjes e i lojës për fëmijë, shkrimtar i dashur i imagjinatës dhe i humorit, krijues i larmisë së pafund të formave letrare dhe i begatisë ideotematike e stilistike. Ai do të inkuadrojë në letërsinë tonë tema të reja, krejt bashkëkohore, sado që është rritur e formuar në ambientin e fshatit.


Do të vijnë në skenën e historisë së re të letërsisë shqipe emra të dalluar shkrimtarësh për fëmijë, që do të shënojnë kapituj të ri të kësaj letërsie, që do të sjellin vlera të reja letrare e thyerje të ndjeshme në horizontin e receptimit letrar dhe, që, mbi të gjitha, do t`i japin fizionomi e pamje të plotë kësaj letërsie. Për këto pesë dekada krijimtarie emri i krijuesit Rifat Kukaj ka lënë gjurmët e saj të ndjeshme.

1. Larmi e pafund e formave letrare

Ai është bërë tashmë krijues që ka depërtuar me veprën e tij letrare edhe jashtë kufijve të Kosovës, krijues i afirmuar edhe nëpër të gjitha hapësirat shqiptare e në gjithë Ballkanin e më gjerë. Nuk është shkelje e modestisë sonë kulturore-letrare, nëse e themi se letërsia shqipe për fëmijë në Kosovë dhe, në mesin e saj, edhe emri i Rifat Kukajt, është njëra ndër letërsitë më cilësore në hapësirat ballkanike dhe e ka zërin e saj të veçantë e specifik në këto hapësira.

I lindur më 25 tetor 1938 në fshatin që mban emrin e moçëm ilir, Tërstenik të Drenicës, i rritur në gjirin e bukurive natyrore të vendlindjes, i rritur me kallëzimet e përrallat e gjyshërve e me këngët e historitë e treguara për ngjarjet e së kaluarës, i shkolluar në vendlindje e në Gllogoc (Drenasin e pasluftës), Rifat Kukaj preokupim të vetin kryesor do ta ketë krijimtarinë letrare.

Mbasi ka kryer Normalen në Prishtinë, ka punuar tri vjet mësues në vendlindje, kurse më vonë gjeneratat e fëmijëve të viteve 1960-`70 do ta mbajnë mend për përgatitjen e emisioneve për fëmijë në radion e vetme të atëhershme në Kosovë, në Radio Prishtinë, për 12 vjet me radhë. Ndërsa, një kohë të gjatë punoi si redaktor i bibliotekave të letërsisë për fëmijë në Ndërmarrjen Botuese “Rilindja”. E, mbi të gjitha, ky krijues, si dje, si sot, gjithnjë është gjendur në mesin e fëmijëve, për të cilët ka shkrirë gjithë potencën e tij krijuese, intelektuale e jetësore.

Mirëpo, ajo që e veçon këtë krijues nga puna e tij e gjithanshme në shumë lëmë të kulturës e të letërsisë, është botimi i një numri të madh të veprave, në radhë të parë për fëmijë, po edhe për të rritur. Ka botuar libra poezish për fëmijë që nga viti 1964, duke filluar me “Gjerdani i blertë” e duke vazhduar me “Trimëritë e karkalecit”, “Kështjellën e dritës”, “Princi i Krujës”, “Çka fshin dhelpra me bisht”, ”Lejlekët në luhaja”, “Një gaforre defatore” e dhjetëra libra të tjerë poetikë, deri te pesë librat e fundit që dolën viteve të mbasluftës nga shtypi. Ka botuar libra tregimesh për fëmijë duke filluar nga libri “Rrëfejza” (1965) e duke vazhduar me “Përqafimet e ngrohta”(1975), “Dylbia e kapedanit”, “Fustani i qershisë”, “Djaloshi i zjarreve” etj.

Ka botuar tituj veprash me ilustracione për fëmijë, të cilat janë shumë të dashura për moshat më të reja, ashtu sikundër është shquar me zërin e vet të veçantë në fushën e romanit për fëmijë, duke filluar nga “Bardhi e Mirushja” (1968), “Kokërrmeli e pilivesa”(1971), për të vazhduar me romanin e njohur “Lepuri me pesë këmbë”(1971), pastaj me “Dita e xhufkave”, “Shkrepi i diellit”, “Minaku i përhimtë”, “Vjollca magjike”, “Rrasa e zogut”, “Droja”, “Dreri me një bri” etj. e deri te “Gogozheli i Gogozhinës” dhe “Xhuxhi nga Xhuxhishta” dhe te libri poetik “Ti një kokërr unë një kokërr”. Kurse gjatë vitit të fundit përvojën e tij të gjatë prej pesë dekadash, e pasuroi dhe e sintetizoi edhe me afro 20 vepra për fëmijë: si “Kush ma mori dorën”, “Çao, gjyshe”, “Dhelpra dhe rrushi”, “Një kanjushë në Krushë”, “Rrena më e madhe në Kosovë”, “Majmuni me kurorë mbretërore”, “Ëndrra të trembura”, “Fshehtësia e breshkës”, “Gjiri i delfinit”, “Dy përralla të rralla”, “Kur fle nata” etj.

Libri që përbëhet nga një tërësi prozash që mund të lexohen si një roman i këndshëm, është ai me titullin “Rrena më e madhe në botë”. Shkrimtari do të rilindë në mënyrën e tij krijuese. Në të gjithë këta libra do ta takojmë atë procedimorin e pasur me vlera të shumta artistike, me imagjinatën që është, do të thoshim, vetëm kukiane, ashtu sikundër që këta libra do të bëhen jo vetëm pjesë e kohës, tek i përcjell proceset e zhvillimet e ngjarjeve, por do të bëhen edhe pjesë e përhershme e botës së fëmijës. Ka dy libra të poezisë për të rritur, si dhe katër librat e tregimeve për të rritur: “Nusja”, “Qafa e ulkonjës”, “Këmbana” e “Varri binjak”, ndërkohë që në dorëshkrim janë edhe shumë tituj proze e poezie për të rritur e për fëmijë. Pra, janë rreth 120 tituj veprash që shkrimtari Rifat Kukaj i ka dhuruar letërsisë shqipe përgjithësisht.

2. Në botën e ndërliqshme të fëmijës

Ai është, së këndejmi, njëri ndër shkrimtarët më produktivë të letërsisë sonë përgjithësisht dhe njëri ndër më cilësorët në hapësirat e artit letrar shqiptar. Cilësia dhe sasia e këtyre veprave flasin, gjithsesi, për një botë jashtëzakonisht të pasur krijuese dhe me qasje jashtëzakonisht të ndjeshme, të larmishme e interesante ndaj botës së fëmijës, tek do të përzgjedhë spektër të pafund krijues e kënde të panumërta të interpretimit të dukurive e të botës së këtyre vogëlushëve.

Po ashtu, këtë shkrimtar e veçon edhe fakti se ai është i pranishëm përherë në skenën letrare; ai e mban kontaktin e vazhdueshëm me lexuesin, sidomos me lexuesit e moshave fëmijënore. Dhe, kurdoherë ka pasur se çka t`u thotë fëmijëve, kurdoherë ai, me secilin libër, doli i ri, i freskët, me përmbajtje të reja.

Në hullinë e këtij mendimi, po shtojmë se ky shkrimtar e deshi, e nderoi dhe e respektoi shumë fëmijën dhe botën e tij. Ai nuk e deshi atë me fjalë të bujshme, të mëdha apo me fjalë krejt boshe e që nuk thonë asgjë. E deshi me tërë kompleksitetin e qenies që ka bota e të vegjëlve, e deshi sa më të çlirshëm, sa më të formuar, sa më punëtor e të vyeshëm, sa më të ngritur. E deshi, mbi të gjitha, të gëzueshëm, optimist e të hareshëm, me gjithë çapkënllëqet e veset, me gjithë gabimet apo shkarjet tjera që mund t`i bëjë ky fëmijë në jetë, në rritje e sipër e në formim e sipër.

Lexuesi i vogël, apo ai i rritur, te krijimtaria e Rifat Kukajt e kanë përjetuar lirizmin e ndjeshëm e të këndshëm të poezisë, melodinë karakteristike të vargut që lind në lojë e sipër apo që fekson nga sferat e imagjinatës së pakufi, ashtu sikundër këta lexues do ta ndiejnë ritmin dinamik, të thyeshëm e të larmishëm, së bashku me muzikalitetin e tyre. Kadencat e vargjeve të Kukajt nuk janë asnjëherë uniforme; ato ndryshojnë gjithnjë, simbas prirjes krijuese për t’ua futur sa më thellë në shpirt fëmijëve gjallërinë apo përkëdhelinë; për t’ua bërë sa më konkrete figurat e përsiatjeve fëmijënore apo edukimin mendor e fizik, ndihmën vëllazërore apo peizazhin aq të ndjeshëm, ashtu sikundër do ta shihte atë vetë syri i fëmijës; për t’ia bërë aq të nuancuar këtij fëmije komunikimin aq të përafërt poetik të qëndisur me figura, me metafora e me procedime të pasura artistike e mbi të gjitha, për ta krijuar atë univers të ndërliqshëm artistik nga vetë bota e fëmijëve.

Do ta takojë, ky lexues, atë humorin karakteristik, që di ta japë vetëm Rifat Kukaj, me thumba e batuta, me groteskën dashamirëse, tek do t’i dënojë veset a dobësitë, do ta shquajë atë goditjen tërthorazi të gabimeve etj. Shumë nga krijimet e tij për fëmijë, janë ose vjersha, ose tregime të mirëfillta humoristike. Janë situata që krijojnë atmosferë gazmore e komike me përjetime të bukura e jashtëzakonisht të këndshme. Pra, fëmijëria duhet t’u takojë fëmijëve, do të thoshte studiuesi Agim Deva.

Këta lexues i kanë përjetuar konceptimet fabulative, aspak të sforcuara, të vjershës. Vendlindja, loja, flora, fauna, botët interesante të së kaluarës, botët e aventurave, bota bashkëkohëse etj. bëhen më të dashura, më të afërta e më të njohura mbasi të lexohen krijimet e tij. Atdheu bëhet më frymëmarrës, për të cilin do të ndjesh nevojë të lidhesh më fort për truallin amë. Kudo do të ndeshesh me hymnizimin e ndjenjës patriotike, me patosin e porosinë e shëndoshë.

Didaktizmi narrativ e ai lirik, gjithnjë jepen nën fijet e realizimit artistik të veprës. Dhe, mbi të gjitha, ai do ta shquajë zërin humanist. Rifat Kukaj, në ngrehinën e botës së pasur të artit në prozën e tij romansore e tregimtare, pra, iu bën vend historisë dhe legjendës, mitologjisë e besëtytnive popullore dhe përditshmërisë, aksionit dhe aventurës, të pabesueshmes dhe të rëndomtës, kurse vendin e nderit ua lë imagjinatës dhe lojës, ëndërrimit dhe humorit.

Kudo do të ndeshesh me të pandodhurën, të papriturën e të pabesueshmen. Shpirti i aventurës e vë në lëvizje imagjinatën e fëmijës nga vepra në vepër. Rrëfimi përrallor e legjendar dramatizohen me ndihmën e poetikës specifike të dialogut dhe gërshetohen me bisedën krejt të rëndomtë të lojës e të imagjinatës së fëmijëve. Shpesh historia e aventura nuk janë vetëm fabula për zbavitje, por ato merren edhe si mësuese të jetës e që i kanë protagonistët e saj me ideale të madhërishme, po që dalin në mbrojtje të vlerave më të larta etike e njerëzore. Ai la prapa një trashëgim të pasur e të jashtëëzakonshme krijuese, një përvojë të denjë e të pasur krijuese e jetësore, një univers aq interesant e aq të larmishëm, aq optimist e aq humanist.