Revista amerikan “Time” ka publikuar së fundmi një artikull në të cilin kanë renditur pesë gjeopolitikanët “më të rreptë”, që sipas kësaj reviste kanë fituar vëmendjen e botës.
Sipas “Time” bëhet fjalë për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, Fetullah Gullen, Carles Puigdemont, Julian Assange dhe Mikheil Saakashvili, transmeton Telegrafi.
“Shpesh nuk është mirë të jesh i kërkuar. Në kohëra të dramave gjeopolitike, këtu keni disa prej personazheve të rreptë që janë ‘më të kërkuarit’, të cilët kanë fituar vëmendjen e botës”, shkruan ” Time” për pesë personazhet e këtij artikulli.
“Time” shkruan se Haradinaj ka bërë emër gjatë viteve të 90-ta gjatë luftës në Kosovë. Si komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai ishte akuzuar se ka torturuar dhe vrarë serbë, por në mungesë të provave ishte liruar nga këto akuza nga Tribunali i Hagës në vitin 2008 dhe 2012.
Kjo nuk i mjaftoi Serbisë, e cila refuzon të njoh Kosovën si një shtet i pavarur, dhe kërkon që Haradinaj të ekstradohet dhe të ballafaqohet me drejtësinë, shkruan revista.
Sfida për Haradinajn nuk është vetëm Serbia. Me urdhër të aleatëve perëndimorë dhe e ndihmuar nga BE-ja, Parlamenti i Kosovës ishte pajtuar gjatë vitit 2015 që të krijohet Gjykata Speciale që do të trajtonte krimet e pretenduara të luftës dhe që do të ketë bazën në Holandë, por që do të funksionojë nën juridiksionin e Kosovës, lëvizje kjo që konsiderohet si instrument që ndihmon në stabilizimin e gjeopolitikës së Ballkanit. Por vetëm tani kanë filluar të shfaqen paralajmërimet për shfuqizimin e kësaj gjykate, ku Haradinaj dhe elita politike e Kosovës është vënë në kërkim të mundësive për të shmangur këtë gjykatë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që i prinë fushatës së NATO-së kundër Serbisë së Sllobodan Millosheviqit gjatë luftës – që të dyja janë të përkushtuara që Kosova të arrij normat dhe vlerat perëndimore.
Sipas kësaj reviste amerikane, ndoshta Haradinaj dhe aleatët e tij në Kosovë janë shumë të vogël që të kujdesen për fuqitë e rëndësishme gjeopolitike; realiteti është ky, për ta ruajtur paqen ata nuk po mund ta përballojnë këtë. /Telegrafi/