Reshjet e shiut, Thaçi apel banorëve të Obiliqit: Kujdes nga rreziku i vërshimeve

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka njoftuar sot qytetarët për rrezikun potencial nga vërshimet që kanë prekur disa zona të vendit, duke apeluar për kujdes të shtuar dhe respektim të udhëzimeve të institucioneve përgjegjëse.
Thaçi theksoi se edhe pse Obiliqi deri tani nuk është goditur rëndë nga vërshimet, situata kërkon vigjilencë dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët.
Ai u bëri thirrje banorëve të shmangin lëvizjet në zonat ku janë grumbulluar ujëra, të kujdesen veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe familjet më të rrezikuara, si dhe të raportojnë çdo situatë të dyshimtë te shërbimet komunale.
“Solidariteti dhe kujdesi i ndërsjellë janë forca jonë më e madhe. Përgjegjësia ime ndaj jush është e përhershme”, theksoi kryetari Thaçi në njoftimin e tij publik.
Ai i ftoi qytetarët të qëndrojnë të informuar përmes komunikimeve zyrtare dhe të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencave, të cilat mbeten në gatishmëri për çdo rast. /Telegrafi/

















































