LAJMI I FUNDIT:

Reshitaj e Sefaj diskutojnë për themelimin e Policisë së Gjelbër

Reshitaj e Sefaj diskutojnë për themelimin e Policisë së Gjelbër

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, me të cilin biseduan për bashkëpunimin në implementimin e legjislacionit në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

Reshitaj tha se prioritet i saj është zbatimi i ligjeve, në mënyrë që të krijojmë një mjedis të pastër dhe planifikim të duhur hapësinor.

“Themelimi i Policisë së Gjelbër është projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm që do të mundësojë zbatimin e legjislacionit në fuqi, si dhe intervenim të shpejtë e  efikas në rastet e katastrofave dhe dëmtimeve eventuale mjedisore. Ne duhet t’i mbrojmë bukuritë tona natyrore, t’i trajtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’i promovojmë ato”, tha ministrja Reshitaj.


Nga ana tjetër, ministri Sefaj ofroi mbështetjen e tij në realizimin e ideve të tilla konform legjislacionit dhe Kushtetutës së Kosovës.

Të dy ministrat planifikuan takime të përbashkëta në nivele administrative dhe teknike të dy ministrive përkatëse për të shqyrtuar mundësitë reale për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për mjedisin dhe vendin në përgjithësi. /Telegrafi/