Rënie e madhe e ujit në burimin e Drinit të Bardhë, KRU “Hidrodrini” ndërmerr masa për stabilizim e furnizimit në Pejë

Për shkak të rënies së konsiderueshme të sasisë së ujit në burimin e Drinit të Bardhë, ekipet e KRU “Hidrodrini” në Pejë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme operative për izolimin dhe koncentrimin e burimit, me qëllim stabilizimin e furnizimit me ujë për konsumatorët.
Sipas zyrës për informim të KRU “Hidrodrini”, veprimet kanë dhënë rezultate pozitive, dhe nga mbrëmja e sotme pritet që efektet të jenë të dukshme për qytetarët.
Megjithatë, rënia e sasisë së ujit ka shkaktuar vështirësi në furnizim në disa lagje të qytetit, përfshirë B.T. ‘Xhemajl Kada’, ‘Kristali’, ‘Rrokaqielli’, një pjesë të B.T. ‘Haxhi Zeka’ si dhe rrugë të tjera dytësore.
KRU “Hidrodrini” apelon te qytetarët e rajonit që të përdorin ujin në mënyrë të kujdesshme dhe të racionalizuar, për të ndihmuar në shpërndarjen e drejtë dhe minimizimin e reduktimeve.
Situata e ngjashme paraqitet edhe në pjesë të tjera të Kosovës, ku po bëhen përpjekje të mëdha për të përballuar mungesat e ujit./Telegrafi/

















































