LAJMI I FUNDIT:

“Remont” diplomatik me Kosovën!

“Remont” diplomatik me Kosovën!

Në fakt, këtë titull shkrimi as që e kisha menduar ndonjëherë për Kosovën. Mirëpo, ja që ky është realiteti i trishtë për të përdorur termin më të butë në marrëdhëniet midis dy vendeve tanë vëllezër. Dhe, që nuk mbulohet dot më, as me shoshë dhe as me shashka propagandistike. Ndaj kërkohet “remont kapital”, si ai që përdoret kryesisht në industri, ndërmarrje dhe kompani prodhimi pas avarive të rënda apo dhe për një pacient në kuptimin figurativ, kur ka një kompleks problemesh dhe sëmundjesh të rënda që kërkojnë riparim dhe ndërhyrje tërësore. Vetëm se ky riparim kapital është bërë domosdoshmëri politike dhe diplomatike që nuk pret më. Çdo shtyrje vetëm se do t’i trashte dhe më shumë “zullumet mes vedi”

Ca më tepër kur dihet se problemet, grindjet dhe gërvëret me lidershipin e Kosovës kanë vite që janë formuar, fshehur dhe injoruar me doza dhe flamuj të patriotizmit folklorik. Aq sa vitet e fundit plagët janë mavijosur sa nuk ka ku shkon më. Madje, aq shumë incidente dhe “aksidente” të tilla dhe të shpeshta politike dhe diplomatike si me Kosovën, nuk kemi patur as me vende të tjera jo miqësore.

Natyrisht që me këtë vështrim kritik nuk duam të mohojmë kurrsesi përpjekjet dhe jo pak arritje të njohura në marrëdhëniet më Kosovën për të cilat është folur shumë. Mirëpo, këto vitet e fundit, si për ironi të fatit duket se është ndjekur parimi leninist “një hap para, dy hapa mbrapa”, çka ka çuar dhe në sfumimin e aspekteve pozitive. Për fat të keq, këto arritje dhe dhjetëra marrëveshje të nënshkruara kanë qenë gjysmake, më tepër për spektakël, ato kanë mbetur në mes të rrugës dhe disave nuk u dihet as fati; ca më keq akoma, ato kanë shërbyer më shumë si “gjethe fiku” për të fshehur problemet dhe dështimet, se sa për t’i dhënë impuls zhvillimeve të reja. Kjo duket qartë dhe në prapambetjen e theksuar në diplomacinë dypalëshe, ku bashkërendimi i dikurshëm i dy vendeve tona i përket vetëm të kaluarës.


Bindesh lehtë për sa sipër kur njihesh qoftë dhe kalimthi me tablonë e vërtetë dy dhe shumëpalëshe me Kosovën. Në fakt, kjo analizë është e nevojshme dhe për të parë se çdo bërë për t’i futur marrëdhëniet tona, të cilat kanë dalë jashtë çdo shine në një trase të re, pa kthim prapa, me frymë vëllazërore dhe euroatlantike.

Tani, e çara dhe e keqja më e madhe filloi në tetor 2019, kur Beogradi, Tirana dhe Shkupi njoftuan pa pritur e pa kujtuar krijimin e Mini-Schengenit, që një vit më vonë u kthye brenda natës në Ballkan i Hapur. Pa u zgjatur në këtë nismë të dështuar gjysmake, mbasi kemi shkruar mjaft më parë, dihet se për shkak të gabimeve tona elementare dhe trashanike diplomatike, ngutisë dhe animit tonë të çuditshëm nga Beogradi, Prishtina zyrtare u anashkalua në mënyrën më të habitshme dhe si asnjëherë më parë. Ballkani i Hapur, që shyqyr u mbyll me turp, u kthye në një “mollë të vazhdueshme sherri” që vetëm sa i hapi më shumë dhe plagët që kishin filluar të shfaqeshin në marrëdhëniet me Kosovën. Aksi dhe theksi i politikës sonë rajonale u zhvendos në mënyrë tejet indinjuese drejt Beogradit!

Mirëpo, e keqja vërtet filloi, por ajo nuk mbaroi këtu. Këto muajt e fundit, ndodhën disa incidente serioze që janë vërtet njolla turpi në marrëdhëniet midis nesh.

Në kulmin e tensioneve në veri të Kosovës, Tirana zyrtare dilte me deklarime të padenja dhe “majë më majë ” të cilat në fakt i mbanin” iso Beogradit dhe qortonin pa të drejtë Prishtinën. Dhe, të mos harrojmë se deri atëherë dhe në vazhdim, Rama ishte prezantuar si avokat i zëshëm dhe i zellshëm i Beogradit në çdo podium dhe tribunë në Bruksel, Tiranë, Strasburg, Nju Jork, Berlin dhe gjetkë, duke i “lënë pa gojë” të gjithë dhe vetë Vuçiqin!

Kishte dhe më keq akoma, kur më 14 qershor Rama anuloi momentet e fundit në mënyrë të njëanshme dhe pa arsye bindëse mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Dhe, sërish kjo ishte vetëm gjysma e të keqes. Sepse, në vijim, në vend që të ulej në Prishtinë, në Tiranë e kudo gjetkë për të biseduar si vëllezër me Kurtin dhe lidershipin politik të Kosovës, pa bujë dhe zhurmë mediatike, kryeministri Rama shfaqet krejt papritur si “negociator vullnetar”, athua se nuk mjaftonin gjashtë ndërmjetësuesit e BE-së, ShBA-së, Gjermanisë, Britanisë, Francës dhe Italisë.

Më tej, vijoi me doza të shtuara protagonizmi të panevojshëm dhe të dëmshëm për Kosovën duke dërguar në Bruksel, sërish pa ia kërkuar njeri, një draft-tekst për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe! Këtë e bëri jashtë çdo norme dhe etike diplomatike dhe njerëzore, pa pyetur askënd në Tiranë dhe pa asnjë telefonatë me Prishtinën, diçka që nuk ndodhte as në mbretëritë e dikurshme absolute, të paktën formalisht!

Kulmi arriti kur më 27 qershor, kryeministri Rama shkoi vetë në Bruksel dhe i dorëzoi presidentit të Këshillit Evropian propozimin tjetër mbi mbajtjen e mundshme të një Konference ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Një tezë e hedhur vite më parë, tejet e rrezikshme mbasi mund të sillte zhvillime të papritura dhe fare të pakëndshme deri te diskutimi mbi statusin e Kosovës, nëse do të realizohej. Por, shyqyr që ajo është “hallvë e ftohtë” për aleatët tanë të mëdhenj, të cilët u mjaftuan me një fal[nderim me mirësjellje diplomatike. Ama për Moskën dhe Beogradin ky propozim ishte “muzikë e bukur” të cilën ata mund ta kërkojnë ose dhe “ta luajnë” në momente të caktuara. Ca më tepër se propozimin për një konferencë “Dejton II″ e kanë hedhur vetë ato qysh më 2010.

Tashmë kupa për Prishtinën ishte mbushur dhe po derdhej, ndaj boll më kështu. Dhe, në turin ballkanik të Ramës më 5-6 korrik, Kurti i refuzoi takimin si paralajmërim serioz e për t’i thënë “ndalu beg, se ka hendek”! Për të vazhduar me mospraninë e tij në takimin informal në Tiranë më 17 Korrik, se ishte në një seminar në Greqi! Më keq nuk kishte ku të shkonte më! Kambanat po ushtonin fort sidomos për Tiranën dhe Ramën që pretendonin të bëheshin dhe ndërmjetësues, se demek i zgjidhën telashet në Tiranë dhe tani do të shpëtonin rajonin dhe Evropën!

E keqja u bë, por ajo nuk mbaron këtu, ndaj tani është momenti i duhur që në vend të gjyqeve dhe kërkimit të fajtorëve, lidershipet e dy vendeve tona dhe sidomos Tirana t’i thërrasë mendjes, të reflektojnë dhe të marrin kthesën e shumëpritur. Mirëpo, kjo nuk bëhet më me deklarata, me “hapa dollapa” apo batutë, me intervista këndej dhe andej, as me një qokë dhe vizitë të lartë kortezie. Remonti kapital për të cilin po flasim kërkon aktivizimin me ngarkesë të plotë të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë, diplomatikë, ekonomikë, kulturorë dhe qytetarë në të dy vendet. Kërkohet diplomacia e krizës dhe e ecejakeve, përtej dimensionit kryeministror si deri më tani. Ndonëse hendeqet dhe pengesat janë të shumta, me vullnet politik mund të rregullohet gjithçka, se dhe mundësitë janë më të mëdha.

Këtë remont kapital duhet ta udhëheqë padyshim Kuvendi, me grupet parlamentare, komisionet dhe deputetët e tij, me lëvizje, mesazhe dhe veprimtari të përbashkëta me homologun e tij në Prishtinë, sepse Kuvendi ka besueshmëri më të madhe dhe në këtë fushë. Po ashtu, presidenti i Republikës, si figurë përfaqësuese dhe i “papërlyer” në këtë mesele mund të ndikojë pozitivisht. Për të kaluar te ministritë dhe institucionet e ndryshme, të cilat duhet të përshpejtojnë hapat dhe procedurat e zbatimit të marrëveshjeve të shumta. Padyshim që subjektet publike dhe private ekonomiko/ tregtare, e sidomos arti, kultura, letërsia, komuniteti akademik, universitetet dhe media në të gjitha zhanret e saj kanë rol vendimtar në krijimin e terrenit, mjedisit të duhur dhe besimit reciprok në Tiranë dhe në Prishtinë.

Rol të veçantë, të cilin nuk e kanë luajtur dot deri tani, kanë e do të kenë MPJ-ja e të dy vendeve dhe ambasadat tona në Tiranë dhe në Prishtinë, si ura lidhëse dhe përcjellëse të këtyre mesazheve. Fatkeqësisht, deri tani, ato janë lënë në harresë, nuk janë dëgjuar, për shkak të protagonizmit kryeministror.

Në frontin e jashtëm, diplomacia jonë do të duhet të jetë shumë më tepër aktive në planin dy dhe shumëpalëshe; kjo veçanërisht lidhur me shtimin e njohjeve të reja për Kosovën, pengimin e fushatave çnjohëse serbe, në përshpejtimin e procedurave të anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe kështu me radhë.

Kështu, dalëngadalë, pa ngut por me ritëm, do të do të zbuten gjakrat, do të krijohet një klimë tjetër besimi mes nesh, çka do t’i çelë rrugën një mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të vërtetë në Tiranë dhe në Prishtinë nga poshtë në nivelet më të larta.

Në këtë klimë të pritshme të re, të dy kryeministrat do të kenë mundësinë të gjejnë rastin e volitshëm të dalin e të takohen natyrshëm, duke lënë pas të kaluarën e trishtë dhe me plane, projekte dhe vështrimin nga e ardhmja, veç jo si deri dje! Kjo duhet të fillojë qysh nga gjuha pozitive pajtuese në intervistat e të dy kryeministrave e sidomos të Ramës. Por jo si ajo e para disa ditëve për median italiane ku ndërsa tregohet shumë fin dhe besimplotë ndaj Beogradit, Kurtit i përmend “mëkatet” se demek na qenkërka  maksimalist, diçka normale dhe e dëshirueshme në politikë !

Mbi të gjitha, kusht jetik për cilësinë dhe shpejtësinë e këtij “remonti kapital” është distancimi ynë nga qëndrimet e deritanishme tërësisht të gabuara dhe të shfazuara ndaj Beogradit. Le ta fillojmë duke hequr dorë menjëherë nga avokatia jonë e pakuptueshme në favor të Beogradit dhe ta zëvendësojmë me atë për Kosovën.

Le ta themi troç dhe me zë të lartë për këdo: theksi dhe përparësia e politikës dhe diplomacisë sonë në çdo rast, sido që të vijë puna, pavarësisht dhe nga gabimet e mundshme të Prishtinës dhe lëvizjet konjunkturore politike perëndimore duhet të jenë dhe të mbetet Kosova, Prishtina!

Natyrisht ky remont kapital nuk është dhe aq i lehtë sa shkruhet në këto pak rreshta, por mundësitë janë, madje tani më shumë se kurrë. Ca më tepër, tani na ndihmon shumë dhe era e re që ka filluar të fryjë në kancelaritë perendimore mbas protestave, kritikave dhe kërkesave për ndryshimin e qëndrimit të tyre të gabuar ndaj Beogradit, siç ishte dhe letra e 10 kryetarëve të komisioneve të jashtme të parlamenteve evropiane dhe Senatit amerikan dhe e 56 deputetëve të të gjithë krahëve politikë drejtuar sekretarit të Shtetit, Blinken, dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrell; ku kërkohet një politikë e re shtrënguese dhe jo qetësuese ndaj Beogradit, që është problem e jo zgjidhje, ca më pak aktor/faktor stabiliteti rajonal dhe për një qasje të re cilësore pozitive ndaj Kosovës, aleatja e vërtetë e Perëndimit. Madje, politika dhe diplomacia jonë duhet ta kishte filluar këtë “remont” pikërisht duke përshëndetur Letrën e mësipërme, e jo si deri tani me heshtje nga qeveria.

Së fundi, le ta ripërsëritim fort: remonti i lartpërmendur kapital politik dhe diplomatik me Kosovën është urgjent, duhet tani sa nuk është vonë! Rasti më i mirë dhe më i parë për ta zhvilluar dhe përfunduar me sukses këtë proces të rëndësishëm me ndjeshmëri të lartë politike, diplomatike dhe publike janë përgatitjet e rastit që po bëhen lidhur me Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë më 16 tetor. Le ta shfrytëzojmë në maksimum këtë mundësi ideale që nuk vjen dhe aq shpesh.

Në trend

Më shumë
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Përfaqësuesja e Kosovës
Eskalon situata pas hedhjes së proteinave, përfshihen edhe banorët e tjerë

Eskalon situata pas hedhjes së proteinave, përfshihen edhe banorët e tjerë

Magazina

"Hykmete ku është paswordi?" - Kelmendi kërkon llogari nga ish-ministrja për platformën e digjitalizimit prej 5.6 milionë euro

Lajme
Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër

Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër

Botë
Lista e ndihmave ushtarake për Ukrainën, top 10 shtetet që e ndihmuan në luftën kundër Rusisë

Lista e ndihmave ushtarake për Ukrainën, top 10 shtetet që e ndihmuan në luftën kundër Rusisë

Botë
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Drejtësi
Kalo në kategori