Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ishte parashtruar kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me zgjedhjet komunale të 12 tetorit 2025 në Komunën e Junikut.

AAK, e cila kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, kërkonte anulimin e këtyre zgjedhjeve, si dhe pastrimin e listave të votuesve duke i larguar ata që ishin regjistruar si banorë të Junikut në tri muajt e fundit para zgjedhjeve.


Po ashtu, ata kërkonin që Komuna e Junikut të shkojë në rivotim.

PZAP kishte refuzuar më parë ankesën e AAK-së, duke e konsideruar si të pabazuar.

Pas kësaj, AAK kërkoi që Gjykata Supreme të ndërhynte, por kjo kërkesë u refuzua nga Kolegji i Gjykatës Supreme, i cili e konsideroi ankesën si të pabazuar dhe të paqartë.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Supreme, pretendimet e AAK-së lidhur me ndryshimin e vendbanimeve dhe regjistrimin e votuesve të rinj mund të shqyrtohen nga Prokuroria për hetime të mundshme, por nuk janë konsideruar si parregullsi që lidhen me procesin e votimit.

Ky vendim përmbyll ankesat që janë ngritur pas zgjedhjeve të 12 tetorit, duke mbyllur çështjen e kontestuar për procesin e votimit në Junik.

Vendimin e plotë e gjeni KËTU. /Telegrafi/