LAJMI I FUNDIT:

Refleksione mbi një histori të kulturës dhe mendimit shqiptar

Refleksione mbi një histori të kulturës dhe mendimit shqiptar
Ilustrim

Ndriçim Kulla

Duke pasur parasysh se historia shqiptare duhet të kërkohet dhe të konceptohet si njësi, pra të jetë “një dhe e tërë”, sipas atij parimit të njohur (greq. hen kai olon), atëherë Antika dhe Mesjeta, e sidomos periudhat e mëvonshme të zhvillimit të mendimit kulturor dhe letrar të Arbërit, duhet të trajtohen si pjesë përbërëse e kësaj vijueshmërie. Prej këtej duhet të nxirret përfundimi, nëse ekziston apo jo, ai fill i përbashkët mes kulturës dhe mendimit shqiptar në periudhat e ndryshme kohore të zhvillimit të saj në shekuj. Nga ana tjetër, përcaktimi i drejtë i trashëgimisë sonë kulturore, duhet të spikasë me kujdes pajtueshmërinë ose jo me zhvillimin kulturor evropian nga njëra anë dhe nga ana tjetër, pozicionin apo rrezatimin e ndërsjellë të kulturës sonë me këtë qytetërim apo me qytetërime të tjera.


Për të pasur një kuptim sa më të saktë të këtij raporti duhet të nisemi nga parimi se Ballkani duhet të konsiderohet një ndër hapësirat më të vjetra kulturore evropiane. Ky supozim, do të kishte sjellë me vete jashtë rajonit tonë, para dy dekadash e gjysmë, më shumë kundërshtime se sot. Kush e sheh Ballkanin si hapësirë historike, dhe kështu operon shumica e hulumtuesve të shkencave shoqërore, thekson zakonisht trashëgiminë e perandorive të mëdha të Bizantit dhe Perandorisë Osmane. Theksimi i kësaj trashëgimie është njëkohësisht edhe ai konsensus që rrjedh nga debatet e gjata rreth konstruktimit të hapësirave në 30 vitet e fundit. Mirëpo ky konsensus bazohet në një këndvështrim qëllimisht të ngushtuar, sepse lë mënjanë antikitetin. Ky është elementi i parë përbërës i parimit kryesor të historisë “si një dhe e tërë”.

Së dyti, duhet të njihet fakti se “Ballkanologjia, në vetvete, është një shkencë ndërdisiplinore, e cila në kundërshtim me shkencat shoqërore me orientim kombëtar dhe të interesuara vetëm për të tashmen, është e vetmja në gjendje ta përcaktojë rëndësinë e vërtetë të këtij rajoni në një kontekst europian dhe mesdhetar. Ky këndvështrim do të jetë elementi i dytë ndihmues në përcaktimin e përmasave të marrjes dhe dhënies (ndikimit) të kulturës sonë me kulturat e rajonit.

Së treti, pohimi “që Roma e parë dhe etnitë e kulturuara nga ajo nuk është më një pikë rëndese e hulumtimeve jashtërajonale, kjo ka të bëjë me përfundimin e gabuar, sipas të cilit historia e Ballkanit filloka me paraqitjen e elementit sllav dhe se ardhja e sllavëve paskërka krijuar një tabula rasa”. Roma e parë, dhe jo vetëm e dyta (Bizanti), ka patur një ndikim vendimtar mbi Ballkanin, ky mendim do të jetë elementi i tretë dhe udhëheqës i konceptimit tonë. “Dëshmia më e mirë për këtë janë ato kombe moderne, të cilat rrjedhin nga shoqëri të vjetra ballkanike, p.sh. rumunët dhe vllehët e romanizuar, si dhe shqiptarët e prekur pjesërisht nga ndikimi kulturor romak”.

Një pohim i tillë mbështetet edhe në faktin e pamohueshëm se gjuha latine (dhe greqishtja e vjetër) ishte gjuhë e shqiptarëve, bash sikur që ishte gjuhë e shkencës, e letërsisë, e diplomacisë dhe e liturgjisë edhe e popujve të tjerë evropianë, me një dallim të ndjeshëm nga disa popuj të ardhur në Gadishullin Ballkanik, siç ishin bullgarët, serbët dhe kroatët, të cilët do ta kultivojnë sllavishten edhe në liturgji, bashkë me shkrimin e glagolicës (dhe të çirilicës). Këtu qëndron dallimi i Arbërit edhe në zhvillimin e të gjitha formave kulturore të jetës kishtare, që kanë ndikuar në zhvillimin kulturor, sidomos të qyteteve bregdetare shqiptare dhe të lidhjeve të tyre të vazhdueshme me Italinë dhe Evropën Perëndimore përgjithësisht.

Tradita greko- bizantine e Arbërit nuk e ka penguar zhvillimin harmonik kulturor, por e ka pasuruar në të gjitha artet e lira (artes liberales), sidomos në pjesët jugore të vendit, ku ka pasur qysh në kohën antike biblioteka (Durrësi, Apolonia), kurse në mesjetë kishte manastirë, shkolla dhe qendra të tjera që njihen si vatra të kulturës (Gjirokastra, Berati, Tivari, Shkodra). Në aspektin kulturor s’kishte rivalitet ndërmjet elementeve romake dhe helene as në kohën antike, kështu që edhe më vonë do të shfaqet konvergjenca në literaturë përmes teksteve liturgjike dhe të idesë ungjillore për zhdukjen e shoqërisë skllavopronare. Sot nuk mund të konsiderohen të huaja për botën shqiptare kodikët e Bazilikës së Beratit, që ruhen në Arkivin e Shtetit në Tiranë, e as ato vlera të mëdha të arteve figurative me famë botërore të Butrintit, Durrësit dhe të lokaliteteve të tjera arkeologjike të Arbërit.

Nuk duhet të ketë shpërpjesëtim të madh ndërmjet trashëgimisë së kulturës materiale dhe letrare, në kuptim të atyre vlerave të kulturës materiale që sot ndeshen në lokalitetet arkeologjike dhe më gjerë në Shqipëri dhe në veprat e shkruara (të veprave muzikore dhe të arteve figurative), sepse, tekefundit, qysh në v. 813, në Koncilin e Romës, etërit e Kishës preferojnë përdorimin e gjuhës së popullit (in rusticam romanam linguam). Në këtë kuptim, edhe gjuha e veprave të shkruara nga njëra anë apo mendimi i derdhur në gjuhën e përbashkët të kulturës së kohës nga ana tjetër (si latinishtja dhe greqishtja), duhen parë në një dimension të afërt me përkatësinë kombëtare, ndonëse kjo përkatësi ose ky ndërgjegjësim, si të thuash, më i ngushtë, siç dihet, ka marrë hov në Evropë diku në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX, kur u krijuan shtetet e pavarura (kombëtare). Prandaj në një histori të plotë të mendimit shqiptar duhet pasur parasysh se proceset e largimit nga bota greko-romake dhe në përgjithësi nga bota romane, siç ishin skizmatizmi (sllav) dhe islamizmi (turk), e sidomos antievropianizmi i mëvonshëm komunist, si një vizion jashtevropian i shqiptarëve, nuk mundën ta zbërthenin njësinë shpirtërore të popullit shqiptar dhe dëshirën e vazhdueshme të tij për të kultivuar patriotizmin evropian.

Çdo trashëgimi mendore, po njëlloj si ajo letrare, është e pamundur të paraqitet pa një koncept teorik, pa një qëndrim metodologjik të historisë së saj, e cila kronologjikisht duhet t’i përngjajë historisë së kishës shqiptare, përkatësisht historisë së popullit shqiptar deri në epokën e ashtuquajtur të komb-formimit. Për rrjedhim, historia e mendimit shqiptar nuk mund të ketë shpërpjesëtime të mëdha me historinë e popullit shqiptar dhe me historinë e të gjitha segmenteve të tjera të kulturës të këtij populli. Në këtë mënyrë, vetënjohja historike përmes letërsisë, siç ka ndodhur deri më sot në shumë studime e tekste shkollore, nuk duhet të bazohet vetëm në retrospektivën e artit letrar, por edhe në strukturën konceptuale të lëvizjeve ideore në shoqëri, madje dhe më tej, edhe të rrymave të artit dhe muzikës. Tekefundit ato janë fryma dhe aura më e mirë dhe më e shëndetshme për të formuar mendim.

Sipas këtyre parimeve, mendimi duhet trajtuar vërtet si qendra e një qerthulli apo lëvizjeje kulturore, ndaj në çdo epokë do të na duhet të gjejmë e të zbulojmë edhe ata qerthuj kulture të formësuar nga artet, letërsia dhe shkenca, që arritën të kenë për qendër këtë lloj të caktuar mendimi. Në raportin midis kulturës dhe qytetërimit, nisja është kultura. E kjo për shkak se përpjekjet politike në mes të një populli me kulturë të shëndoshë, por me një qytetërim të shprishur dhe të një populli me kulturë të shprishur, por me një qytetërim të shëndoshë, përfundojnë gjithmonë në favor të popullit të parë. Kultura triumfon kurdoherë. Këtë na e mëson historia. Nisur nga ky parim, të ndërlidhur me pohimin e konsiderimit të mendimit si pikën e kondensimit të një “fryme dhe atmosfere” të caktuar të kulturës, është domosdoshmëri konceptuale të caktohet edhe roli dhe pozicioni ndër shekuj i mendimit shqiptar në raport me këto dy dimensione: me kulturën dhe qytetërimin. Me këtë pozicionim do të arrihej të strukturohej edhe antropologjia kulturore e historisë së këtij mendimi.