Ministria e Mbrojtjes i ka mohuar raportimet në media se nga ministri Ejup Maqedonci ka pasur një refuzim të nënshkrimit për furnizim të ushqimit me operatorin e ri ekonomik për personelin e FSK-së.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se me udhëzim të ministrit Maqedonci tenderi është anuluar për shkak të kontestit që ekziston ndërmjet grupit të operatorëve.
“Fillimisht duam të sqarojmë që është i pavërtetë lajmi se ministri Maqedonci ka dërguar letër tek kryeministri Kurti përmes së cilës gjoja ministri thekson se refuzon të nënshkruaj kontratën e furnizimit me ushqim me operatorin e ri ekonomik. Një letër e tillë nuk është dërguar.
Me udhëzimin e ministrit Maqedonci dërguar të premten e datës 11 tetor, tenderi është anuluar, për shkak të kontestit që ekziston ndërmjet grupit të operatorëve të shpallur fitues, njëri nga të cilët ka dërguar dhe personalisht kërkesë për anulim të tenderit. Kjo pasiguri ligjore e prodhuar me këtë rast ka bërë që ministri Maqedonci të mos e nënshkruaj kontratën, e që rrjedhimisht një tender i tillë i panënshkruar nuk prodhon asnjë pasojë juridike apo financiare”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se mos vazhdimi i kontratës me operatorin e deritanishëm s’do të thotë paralizim i ofrimit të këtij shërbimi.
“Duke marrë shkasë dhe nga ky rast, ministri në konsultim me zëvendësministrin, këshilltarët, komandantin dhe strukturat relevante te FSK-së ka gjeneruar konceptin e vet qëndrueshmërisë si opsionin më të mirë për zgjidhjen e problemit të kahmotshëm të ushqimit. Mos vazhdimi i kontratës me operatorin e deritanishëm s’do të thotë paralizim i ofrimit të këtij shërbimi”.
Në njoftim po ashtu thuhet se: “Pavarësisht asaj që po tentohet të paraqitet në publik përmes përhapjes së lajmeve të pavërteta, ritheksojmë se ministria e mbrojtjes për herë të parë ka inicuar procedurat për ngritjen e kapaciteteve vetanake. Gjersa çdo kazermë aktualisht ka të angazhuar kuzhinierët e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Qendrës Studentore, me datën 10 tetor në ëeb faqen e ministrisë së mbrojtjes është hapur konkursi për pranimin e stafit profesional të kuzhinierëve. Me pranimin e personelit prej 106 personash kjo problematik do t’i përkas së kaluarës.
Pa kosto të madhe financiare ushtrisë do t’i servohet vetëm ushqim cilësor”. /Telegrafi/