Site icon Telegrafi

Rasti Thaçi dhe të tjerët – dëshmitarja e parë vazhdon të pyetet në seancë të mbyllur

Dëshmitarja e parë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, ka vazhduar të mërkurën dhënien e dëshmisë.

Sikurse të martën edhe tani ajo po dëshmon në seancë të mbyllur për publikun, ndërsa është duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit.

Lexo po ashtu Përfundon senaca ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Identiteti i saj nuk është bërë i ditur dhe e njëjta është dëshmitare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Po ashtu, të seancën gjyqësore të martën u bë e ditur se ajo ishte intervistuar nga prokuroria e kësaj gjykate edhe në dy raste të tjera në Prishtinë.

Ndërsa, para se dëshmitarja të paraqitej në sallë, mbrojtja e Thaçit, avokati Luka Mishetiq, ka dorëzuar një provë materiale.

Ajo nuk është kundërshtuar nga prokuroria dhe është pranuar nga turpi gjykues duke u klasifikuar si publike.

Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjetësh zvarritje.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, prej nëntorit të vitit 2020.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë./Telegrafi/

Exit mobile version