Vetëm dy rekomandime janë zbatuar tërësisht, nga 11 sosh, sa Zyra Kombëtare e Auditimit ua kishte përcjellë Ministrisë së Pushtetit Lokal, dhe tri komunave në mars të vitit 2024 në raportin e auditimit të performancës.

Raporti i ri i ZKA-së nxjerr në pah se komunat kanë përdorur të dhëna të ndryshme nga njëra-tjetra për raporti, veprim i vlerësuar se sjell pasoja negative.


Në mars të vitit 2024, Zyra Kombëtare e Auditimit, e kishte publikuar raportin e auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”.

Përpos Ministrisë së Pushtetit Lokal, ishin audituar edhe komunat, Gjakovë, Klinë dhe Viti.

Nga 11 rekomandime, tri ishin për komunat, kurse tetë për MAPL-në.

Ndërsa raporti i ri i ZKA-së i publikuar në dhjetor të këtij viti tregon se nga 11 rekomandime vetëm dy prej tyre janë zbatuar plotësisht, tri janë në fazën përfundimtare të zbatimit, dy kanë filluar të zbatohen, ndërsa dy nuk janë adresuar fare.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kishte bërë përgatitjet e nevojshme për të filluar deklarimin e Performancës Komunale për vitin 2024. Kjo ka shkaktuar vonesa të konsiderueshme si dhe pasiguri për kohën e fillimit të raportimit të të dhënave nga komunat. Rrjedhimisht raporti i performancës komunale është publikuar me 4.5 muaj vonesë gjë që ka shtyrë për po aq muaj procesin e vlerësimit të performancës komunale. Përveç kësaj kjo vonesë e ka bërë të pamundur përcjelljen/vlerësimin e plotë të zbatimit të rekomandimeve, pasi që procesi ende nuk ka përfunduar”- thotë Zyra Kombëtare e Auditimit në raport.

Në pjesën hyrëse të raportit thuhet se dy nga tri komunat e audituara, për raportim kanë shfrytëzuar të dhënat mbi regjistrimin e popullsisë të vitit 2024, ndërsa komuna e Klinës, ka raportuar duke u bazuar në regjistrimin e popullsisë së vitit 2011.

“…Kjo për shkak se MAPL-ja, nuk e kishte analizuar si duhet situatën për të marrë një vendim të qëndrueshëm lidhur me atë se cilat të dhëna duhet përdorur për raportim. Kjo ka krijuar pasiguri te komunat dhe për pasojë jo konsistencë në raportim, duke vënë në rrezik krahasueshmërinë dhe besueshmërinë e të dhënave të performancës komunale për vitin 2024.”- thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Krahas rekomandimeve që janë zbatuar dhe janë në fazë të zbatimit nga të gjitha palët e audituara, ZKA ka ardhur në përfundim se komunat ende nuk përdorin kanale të qarta dhe të formalizuara të komunikimit mes zyrtarëve raportues, koordinatorëve dhe kryetarëve.

Pos kësaj, vonesat në prokurim dhe koordinimi jo i duhur brendshëm në MAPL, thuhet se ka penguar zbatimin e plotë dhe efektiv të disa rekomandimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në procesin e raportimit të performancës komunale./ RTV Dukagjini