Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar Ministrinë e Bujqësisë që të pezullojë menjëherë veprimtarinë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke e cilësuar këtë institucion si një burim shqetësimi për sipërmarrësit dhe konsumatorët.

Në një deklaratë publike të transmetuar nga A2 CNN, Rama tha se AKU-ja nuk po përmbush më funksionin e saj dhe se në vend të sigurisë ushqimore, po krijon më shumë dëm sesa dobi.


“AKU-ja duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdojë të veprojë. Duhet pezulluar dhe të ngrihet një komision i posaçëm për të analizuar të gjitha burimet njerëzore të saj. Po ashtu, procesi i bashkimit të inspektoriateve duhet të kalojë nëpërmjet një seleksionimi të rreptë të stafit që do të merren me inspektime”, deklaroi Kryeministri.

Në të njëjtën dalje, Rama foli edhe për planin e qeverisë për të ndërhyrë në sektorin e naftës, me qëllim vendosjen e një çmimi më të arsyeshëm për konsumatorët.

“Po përgatitemi të ndërhyjmë për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi. Besoj se brenda këtij viti do të bëhemi pjesë e importit dhe shpërndarjes së naftës, duke bashkëpunuar me aktorët e tjerë dhe duke garantuar furnizimin. Kjo do të na vendosë në pozitën për të përcaktuar një çmim më të arsyeshëm sesa ai aktual”, shtoi ai.

Deklaratat vijnë në një kohë kur sektori i ushqimit dhe ai i energjisë në vend janë nën vëmendjen e publikut për shkak të rritjes së çmimeve dhe mungesës së kontrollit efektiv.