Rama: Arkitekti i Qytetit i duhet Prishtinës, por projektet po bllokohen nga qeveria
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për projektin e Arkitektit të Qytetit, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri për kryeqytetin dhe për çdo komunë në vend. Ai tha se projektet madhore nuk mund të bëhen me nxitim, por kërkojnë kohë dhe vizion afatgjatë.
“Arkitekti i qytetit i duhet secilit qytet, është investim i domosdoshëm. Prishtina ka stagnuar sepse nuk ka pasur plan e vizion. Projektet madhore nuk bëhen shkel e shko, duhen kohë dhe punë profesionale. Arkitekti i Qytetit është zyrë që punon në fusha të ndryshme, si platforma, shkolla e nënkalime”, deklaroi Rama në RTV Dukagjini.
Ai akuzoi qeverinë në detyrë se ka bllokuar disa prej projekteve kryesore në kryeqytet, përfshirë sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Agim Ramadani”, Tregun dhe platformën e kryeqytetit.
“Jemi duke ndërtuar 10 shkolla, 3 i kemi përfunduar, 7 janë në ndërtim. Edhe çështja e Tregut ka nisur, por është ndaluar nga IKMM. Ashtu si me projektin e Xhorxh Bushit, edhe këto janë bllokuar për arsye politike. Kemi një qeveri të tërë që punon kundër kryeqytetit, e shiten patriot”, theksoi Rama.
Duke iu referuar buxhetit dhe projektit të unazës së kryeqytetit, Rama përmendi edhe ministrin në detyrë, Hajrulla Çeku, duke thënë se e di mirë si është bllokuar ky proces.
“Hajrulla Çeku e di që e kanë blloku buxhetin. Përkundër kësaj, kemi gjetur alternativa, kemi bërë konferencë për investitorë nga jashtë e brenda që ta bëjmë unazën pa u varur nga niveli qendror. Është absurd që nga 206 milionë euro, 82.4 milionë i ke falas dhe nuk e shtyn procesin përpara. Banka Evropiane i ka dërguar letër edhe kryeministrit në detyrë, duke pyetur pse nuk ecni me këtë projekt. Përgjigja ka qenë ‘pse me financu projektet elektorale të kryetarit Rama’. Kjo është mendësia e mbrapshtë e kësaj qeverie”, tha Rama.
- YouTube www.youtube.com




























