Në sallën e Kuvendit Komunal të Rahovecit u zhvillua mbledhja e pestë e rregullt për vitin 2025 e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e kryesuar nga kryetari i komunës, Smajl Latifi.

Në këtë takim morën pjesë edhe drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme që kontribuojnë në sigurinë publike.




Gjatë mbledhjes u diskutuan çështje kyçe, duke përfshirë:

  • Vlerësimin e gjendjes së sigurisë në komunë, përfshirë sigurinë në trafik dhe parandalimin e dhunës në familje;
  • Organizimin e fushatave vetëdijesuse dhe aktiviteteve rekreative-kulturore për përmirësimin e komunikimit ndëretnik dhe ndërfetar;
  • Informata nga Drejtoria për Shërbimet Publike mbi mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve për sezonin e dimrit;
  • Mbrojtjen e ambientit dhe sigurinë e produkteve ushqimore.

Komandanti i Stacionit Policor të Rahovecit, kapiteni Fazli Morina, raportoi se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar: 54 vepra penale, përfshirë 10 raste vjedhjesh, 3 me para falco, 7 raste kanosjeje, 2 të lidhura me substanca narkotike dhe 5 raste dhune në familje. Për këto vepra janë arrestuar 28 persona, prej të cilëve 18 janë mbajtur për 48 orë.

Sa i përket sigurisë në komunikacion, janë shqiptuar 25 gjoba për vozitje pa patentë, 86 për parkim joadekuat, 21 për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe 3 për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Në shkolla janë realizuar 33 pika kontrolli, ndërsa ka ndodhur një rast kanosjeje në shkollën e Kramovikut.

Në përmbyllje, kryetari Latifi falënderoi të gjithë anëtarët e KKSB-së për angazhimin dhe kontributin e tyre në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në komunën e Rahovecit. /Telegrafi/