Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq është liruar nga kjo pozitë me kërkesë të eprorit të tij ministrit Nenad Rashiq.

Kryeministri Albin Kurti ka nënshkruar vendimin për lirimin e tij nga detyra. Burime të Telegrafit brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se njoftimi për lirimin e Radomiroviqit ka ardhur dje në Qeveri.


Ndryshe, Radomiroviq për mediat lokale në gjuhën serbe ka akuzuar Rashiqin për “neglizhencë ndaj serbëve në veri”.

Ai ka thënë se nuk i është treguar arsyeja e vendimit.

Radomiroviq ka shtuar se priste që të shkarkohej më herët pasi kishte biseduar me ministrin Rashiq, kur, siç thotë ai, kishte konstatuar se “nuk ka mirëkuptim për qytetarët e veriut të Kosovës”.

Telegrafi ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, por i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Më 25 maj të vitit 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte emëruar Radomiroviqin, zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim. /Telegrafi/