Pse mamografia preferohet te gratë pas moshës 40 vjeçare? Shpjegon radiologia Shkëndije Nuza

Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, specialistja e radiologjisë, Shkëndije Nuza ka sqaruar disa keqkuptime të përhapura lidhur me mamografinë, radiografinë (rëntgenin) dhe ekzaminimet CT, sidomos përsa i përket rrezatimit dhe sigurisë së këtyre metodave diagnostike.
Sipas Nuzës, si radiografia ashtu edhe skaneri (CT) funksionojnë me rrezatim jonizues. Po ashtu edhe mamografia përdor rrezatim, por ajo thekson se: “Mamografia ka një dozë jashtëzakonisht të ulët ekspozimi, shumë më të ulët se CT-ja dhe rëntgeni klasik”.
Nuza sqaroi se rrezet absorbohen kryesisht nga kockat, pasi ato përmbajnë më shumë kalcium.
“Indet e gjirit nuk kanë strukturë kockore, prandaj edhe doza e nevojshme për të bërë mamografinë është shumë e ulët”.
Sipas saj nuk ekziston asnjë punim shkencor zyrtar në botë që vërteton se mamografia shkakton kancer të gjirit.
Ajo po ashtu tregoi se sipas protokolleve mjekësore mamografia bëhet zakonisht pas moshës 40 vjeç.
“Nuk rekomandohet më shpesh se një herë në vit në rast se nuk ka gjetje patologjike. Në rastet e zakonshme në çdo dy vjet është e mjaftueshme. Nën moshën 40 vjeç, mamografia nuk rekomandohet, përveç në raste të veçanta, kur ekziston një anamnezë familjare shumë e fortë për kancer gjiri (p.sh. nëna, motra, gjyshja, tezja). Vetëm gratë me zinxhir të fortë familjar të prekjes nga kanceri mund të bëjnë mamografi para moshës 40 vjeçare, pasi konsiderohen grup i rrezikut të lartë”, shpjegoi Nuza. .
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
- YouTube www.youtube.com


















































