Akademiku Rexhep Qosja ka vazhduar me kritika ndaj krerëve shtetëror të Kosovës, e veçmas ndaj presidentit Thaçi, Qosja, që kishte deklaruar se refuzon dekoratën presidenciale, ka numëruar një varg dështimesh të drejtuesve të shtetit edhe lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, dështimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, dështimet protokollare në kremtimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Ai thënë se pas nënshkrimit pa konsultuar Kuvend dhe pa konsultuar ekspertë, të marrëveshjes për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe pas krijimit të Gjykatës së Veçantë, që sollën shumë çrregullime politike, edhe dhënia, mosdhënia dhe pasdhënia e dekoratave për 10 vjetorin e Pavarësisë, tregoi se sa diletante, se sa e privatizuar dhe se sa e pa rend e rregull mund të jetë politika jonë shtetërore.
Qosja ka shkruar se këtyre të këqijave që shfytyrojnë politikën tonë shtetërore, sidomos në sytë e ndërkombëtarëve t’ua shtojmë edhe një të keqe formale e në të vërtetë shumë treguese, mungesën elementare të kulturës së protokollit qoftë edhe në solemnitete shtetërore.
Opinioni i plotë i Qosjes:
“Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti, kaloi, por dekoratat, që, zakonisht, kurdo e kudo, jepen brenda një dite, vazhdojnë të jepen!
Dekoratat, që në Fjalorin e Shqipes së Sotme quhen edhe medalje, janë mjete, prej lëndëve më të shtrenjta a më të lira, me të cilat shtetet dhe regjimet i nderojnë njerëzit në raste të ndryshme: në raste të përvjetorëve të ngjarjeve të rëndësishme historike dhe në raste të përvjetorëve të personaliteteve të rëndësishme të përtashme a historike.
Dekorata japin shtetet demokratike, shtetet tiranike, shtetet despotike dhe shtetet diktatoriale, domethënë të gjitha llojet e shteteve.
Dihet se më së shumti dhe më së shpeshti dekorata ndajnë e shpërndajnë shtetet diktatoriale, tiranike e despotike.
Shumë dekorata ndodh të japin edhe regjimet e vendeve demokratike në të vërtetë të vendeve pseudodemokratike. Dhe regjimet e këtilla japin shumë dekorata kur e kuptojnë se sa të paçmuara, se sa të mosduruara janë bërë për qytetarët. Ndoshta edhe për këtë arsye u dha edhe kuintali i dekoratave nga regjimi i sotëm i Kosovës! Dhe jo vetëm.
Njëri prej filozofëve më të rëndësishëm të politikës në kohën e Rilindjes italiane, Nikolo Makiaveli, thoshte se dekoratat janë mjete me të cilat pushteti me çmim të ulët fiton shumë ithtarë.
Siç kemi parë e mësuar dikur dhe siç po shohim e po mësojmë sidomos sot dekoratat u jepen njerëzve të ndryshëm për arsye të ndryshme. Disave dekoratat u jepen vërtet për t’i nderuar. Disave u jepen për t’i bërë që të heshtin, domethënë që të mos flasin keq për pushtetarët dhe për pushtetin! Disave u jepen për t’i nxitur të shkruajnë mirë, sa më mirë, për drejtësinë e qenë a të paqenë të shtetit dhënës, për humanizmin e tij, të qenë a të paqenë, për ekonominë e tij, të zhvilluar a të shkatërruar, për gjyqësorin e tij, të pavarur a të kapur!
Disave dekoratat, ndërkaq, u jepen për të shkruar mirë, sa më mirë, sa më zmadhueshëm, sa më glorifikueshëm për vetë pushtetarët, në mënyrë të veçantë për ata pushtetarë me duart e të cilëve u jepen dekoratat!
Kjo, arsyeja sigurisht jo e fundit për të cilën jepen dekoratat, është më e shpeshtë në vendet tiranike, despotike dhe diktatoriale, por kur e kur edhe në vendet demokratike, në të vërtetë pseudodemokratike.
Shtetet demokratike, ndërkaq, nuk i dekorojnë, nuk i “zbukurojnë” nënshtetasit e vet për çka krejt i dekorojnë, i “zbukurojnë” ato shtetet e tjera.
Shtetet vërtet demokratike, zakonisht, nuk janë shtete që kërkojnë shumë, që kërkojnë çka kërkojnë haptazi e fshehurazi prej të dekoruarve vendet jodemokratike. E kuptueshme: shtetet demokratike nuk japin dekorata për të blerë përkrahës, lavdëruese, servilë, por për të nderuar të dekoruarit, dhe veten.
Për arsye se janë demokratike, shtetet vërtet demokratike nuk u japin dekorata medieve pavarësisht sa të merituara mund të jenë ato në pikëpamje profesionale, kombëtare, kulturore, në përgjithësi shoqërore.
Në Kosovë këto ditë e mësuam të kundërtën: me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dekorata më së shumti iu dhanë pikërisht medieve dhe gazetarëve – të gjallë dhe të vdekur. Dikush mund të thotë: po prej gazetarëve që nuk janë më të gjallë nuk mund të sigurohet kurrfarë përkushtimi dhe kurrfarë adhurimi ndaj pushtetit a dhënësve të dekoratave. E vërteta, megjithatë, është tjetër: duke iu dhënë dekorata të vdekurve, herët më të shpeshta sigurohet përkushtimi i të gjallëve, në radhë të parë i njerëzve të të njëjtit profesion.
Regjimi ynë ka dëshmuar jo një herë se përkushtimin, shërbimin, servilizmin e medieve posaçërisht të disa medieve, e blen edhe me mjete të tjera: edhe me tenderë, edhe me sponsorime, edhe me dhënie të ndryshme, të mbuluara me emra të ndryshëm, por kur e ku edhe me frikësime, me kërcënime, me shantazhe e me mjete të tjera të mendjeve despotike dhe sulltanore!
Nuk ka dyshim se me dekoratat dhe me këto mjetet e sipërtreguara regjimi ynë po blen edhe dy përkushtime që mund të quhen kundërdemokratike dhe kundërkulturore: po blen, në njërën anë censurën, kurse në anën tjetër lavdërimet dhe glorifikimet e regjimit dhe të disa pushtetarëve. Shembull i përkushtimit të këtillë herë servilizues e herë zmadhues, glorifikues janë në radhë të parë, sado jo vetëm ato, RTK-ja dhe Klan Kosova, që me censurën ndaj studiuesve e krijuesve, në përgjithësi ndaj intelektualëve kritikë, posaçërisht ndaj disave prej tyre, në njërën anë, kurse me tejlavdërimet, me glorifikimet e me krijimin e kultit të individit të ndonjërit prej pushtetarëve, të krijimit të veçanësisë në parëndësi, në anën tjetër, po na kthejnë në kohë të errëta të regjimeve të cilat shuajnë sundimin e ligjit, drejtësinë, të vërtetën, mendimin dhe fjalën e lirë! E të tjera.
Dhe, kështu në disa vende e në disa kohë dekoratat vërtet luajnë rolin famëkeq që e luanin edhe në kohën e Makiavelit gjenial: bëhen frymëzuese dhe privilegjuese të shpirtrave të shitur që vihen në shërbim të despotëve.
Në vazhdim të këtij shkrimi po bëj një pyetje: çka tregoi dhënia e kësajhershme e dekoratave për 10 vjetorin e Pavarësisë, që vazhdojnë të jepen kush e di dhe sa ditë e javë në Kosovë?
Tregoi shumëçka.
Tregoi çka dihej dhe tregoi çka nuk dihej, tregoi çka pritej e tregoi çka nuk pritej!
Dhënia, kujtdhënia, kujtmosdhënia dhe, sidomos, pasdhënia e dekoratave kësaj herë në Ditën e madhe të Pavarësisë dhe për Ditën e madhe të Pavarësisë në radhë të parë tregoi si kuptohet, si shfrytëzohet dhe si shpërdorohet politika në Kosovë sot!
Dhe, tregoi çfarë idesh, çfarë ndjenjash, çfarë durimesh e çfarë mosdurimesh e përcaktojnë dhe e ndryshojnë këtë politikë të regjimit tonë.
Dhe, tregoi se si disa nga pushtetarët, dikur çlirimtarë e sot autokratë, nuk ngurrojnë të bëjnë betejë politike kundër ish mësuesve të vet, sot kritik të autoritarizmit të tyre e dje ndërtues të politikës së çlirimit të Kosovës prej okupacionit serb e jugosllav kur ata vetë ende bartnin stafetën e Titos, duke përdorur në këtë betejë edhe ish rrogëtarë e agjentë të regjimit të Millosheviqit tani autoritete në shtet a në propagandë regjimore!
Pas nënshkrimit pa konsultuar Kuvend dhe pa konsultuar ekspertë, domethënë pas nënshkrimit “baba Kros vetë shkruan e vetë vulos” të Marrëveshjes për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe pas krijimit duke ndërruar Kushtetutën të Gjykatës së Veçantë, që sollën shumë çrregullime politike të shprehura si krizë institucionale, edhe dhënia, mosdhënia dhe pasdhënia e dekoratave për 10 vjetorin e Pavarësisë me solemnitetet përcjellëse tregoi se sa diletante, se sa e privatizuar, se sa e pa rend e rregull mund të jetë politika jonë shtetërore!
Si sqarimet, përshtjellimet dhe komisionet për vijën kufitare me Malin e Zi, si ofensiva e pushtetarëve kryesorë për krijimin e mandej “ofensiva” duarfshehur e të njëjtëve për shfuqizimin e Gjykatës së Veçantë, po ashtu edhe dhënia, pasdhënia, në të vërtetë “sqarimi” katër ditë pas shpalljes së Listës me emrat e kandidatëve për dekorim, së cilëve s’u jepet dekorata e që u fshi shpejt prej faqes së internetit të presidencës së Kosovës, treguan se dhe gënjeshtrat e mashtrimet janë bërë metodë e politikës sonë shtetërore, që vjen gjithnjë e më dukshëm duke e komprometuar këtë politikë në sytë e ndërkombëtarëve dhe në sytë e qartshikuesve tanë.
Këtyre të këqijave që shfytyrojnë politikën tonë shtetërore sidomos në sytë e ndërkombëtarëve t’ua shtojmë edhe një të keqe formale e në të vërtetë shumë treguese: mungesën elementare të kulturës së protokollit qoftë edhe në solemnitete shtetërore! Po të mos vuanim prej kësaj çorodie politike nuk do të ndodhte që me rastin e parakalimit të Trupave të Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë, në mjedisin e Tribunës të krijuar me atë rast, të radhiten vetëm pushtetarët e sotëm e të djeshëm të Kosovës, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, kurse të vetmit mysafirë evropianë, miqtë e shumëmerituar për institucionalizimin e Kosovës menjëherë pas luftës, Bernar Kushneri dhe Dan Evertsi, të “braktiseshin” në skajet e kësaj tribune ku nuk i kapnin as kamerat televizive! Atyre madje nuk iu dha as mundësia për një fjalë rasti a fjalë përshëndetjeje.
Dhe, më tej, në sallën ku shfaqej Koncerti kushtuar 10 vjetorit të Pavarësisë, në hotelin “Emerald”, nuk do të ndodhte që mysafiri më i çmuar në këtë manifestim, kryeadministratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë menjëherë pas Luftës, Bernar Kushner, të lihej në rreshtin e tretë, pas shpinës së kryetarëve, kryeministrave, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave, deputetëve e të tjerëve, të kurdisur në dy rreshtat e parë të kësaj salle!
Dhe, kështu e treguam në të vërtetë e komprometuam kulturën tonë protokollare dhe kështu e cenuam bujarinë, mikpritjen tonë dikur të lavdishme kombëtare.
E të tjera! E të tjera! Të ngjashme e të pangjashme!”, ka shkruar Qosja. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika

Shala për grisjen e Kuranit në Prizren: Akt që duhet hetuar pa emocione nga organet e sigurisë

Perinski në Budapest: Partneriteti me Hungarinë do të kontribuojë në avancimin e zhvillimit komunal

Vetëvendosje ankohet në PZAP pasi u shpallën qindra fletëvotime të pavlefshme

Një burrë dyshohet se ka grisur Kuranin në Prizren - kapet nga kamerat e sigurisë

Numërimi i votave të diasporës drejt fundit, Muharremi jep projeksionet e shpërndarjes së mandateve

Ramabaja kërkon hetime: Strukturat e LDK-së në Gjermani kanë bërë “inxhiniering” të votave të diasporës

AAK në Prizren dënon aktin e grisjes së Kuranit

"Thasë me vota të diasporës janë lënë në stacione të autobusëve", analistët: Procesi i votimit i kontaminuar

Ish-kryetari i Graçanicës: 750 serbë nga Kosova do të përdoren për të mbrojtur Vuçiqin dhe destabilizuar protestat në Serbi

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Disa nga këngët e Unikkatilit me të vëllanë, i cili u gjet pa shenja jete në Prishtinë - kanë bashkë hite të pavdekshme

Bashkatdhetarët votuan me disa fletëvotime të zgjedhjeve të 2021-ës

A mund të sigurojë Evropa paqen në Ukrainë, pa SHBA-në?

Man Utd po shpreson ta rikthejë në ekip lojtarin të cilin e larguan para pesë viteve

Numërohen gjysma e votave të ardhura me postë, LVV e para në 8 komuna, pasojnë LDK dhe PDK

Kompania norvegjeze ndërpret furnzimin me karburant për forcat amerikane për shkak të politikës së SHBA-së ndaj Ukrainës