Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës kërkon nga mekanizmat e pavarur monitorues lokalë dhe ndërkombëtarë që të vizitohet ish-polici Abrnor Spahiu, i arrestuar ditë më parë në Serbi dhe të dihet për gjendjen shëndetësore të tij.

QKRMT rikujton se ish-zyrtari policor Arbnor Spahiu, deri sa po udhëtonte nga Gjermania më 07.06.2025 është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Horgosh, me akuzë për përfshirjen në rastin “Banjskë”, përkundër që i njëjti shumë kohë para rastit “Banjskë” kishte dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës për të vazhduar jetën në Gjermani.


“Duke pasur parasysh raportet politike mes Kosovës dhe Serbisë, QKRMT mbetet e shqetësuar për mungesën e informacionit rreth trajtimit dhe statusit të ish-zyrtarit policor, andaj me qëllim të parandalimit të torturës dhe çfarëdo forme të keqtrajtimit ndaj tij, përkatësisht marrjes së informacioneve të sakta rreth ndalimit dhe trajtimit të tij, QKRMT i është drejtuar me kërkesë zyrtare mekanizmave vendor dhe ndërkombëtare që të interesohen për gjendjen dhe trajtimin e tij”, thuhet në njoftim.

QKRMT ka kërkuar nga Komiteti i Helsinkit në Serbi për tu interesuar rreth rastit, me të cilët QKRMT ka pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm për raste të tilla.

Po ashtu, QKRMT i është drejtuar me kërkesë zyrtare edhe Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Ç'njernjerëzore ose Poshtëruese (SPT), mekanizmin ndërkombëtar, që ka për mision monitorimin e vendeve të privimit nga liria, ku për fat të mirë ka rastisur që ky mision do ta vizitojë Serbinë gjatë periudhës 15-21 Qershor 2025.

QKRMT mbetet me shpresë që këta mekanizma do ta vizitojnë ish-zyrtarin policor të ndaluar në Serbi dhe do të njoftohemi zyrtarisht për statusin dhe gjendjen e tij. /Telegrafi/