Në lidhje me këtë shtyrje, burimet japin një sërë arsyesh, por tri mësohet se janë më kryesoret. Arsyeja e parë lidhet me faktin se procesi i regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare ngjalli menjëherë reagimin e ashpër të shumë intelektualeve dhe grupeve të interesit në vendin tonë. Frika se me këtë proces do të abuzohej, duke rritur në mënyrë fiktive numrin e minoriteteve, u shpreh menjëherë nga intelektualët shqiptarë dhe po kështu nga grupe të caktuara interesi, siç është komuniteti çam në Shqipëri. Shqetësimi u fokusua kryesisht tek një pjesë e shqiptarëve të cilët për interesa të ditës mund të deklaronin se i përkisnin etnisë greke, nisur edhe nga eksperienca e hidhur që vendi ka pasur me këtë çështje me një pjesë të popullsinë që jeton në jug.

Nga ana tjetër, regjistrimi i popullsisë, proces ky që zakonisht kryhet njëherë në 10 vjet, përkon me fushatën elektorale të partive shqiptare për zgjedhjet lokale të 8 majit. Një proces i zhurmshëm regjistrimi, i përzier me një fushatë zgjedhore intensive, e cila nisur nga gjendja aktuale politike pritet të marrë ngjyrime të forta, nuk do t’i shërbente klimës së përgjithshme në vendi.


Burimet përmendin si arsye të tretë, por jo më pak të rëndësishme në marrjen e këtij vendimi, edhe kërkesën që Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) i ka bërë qeverisë shqiptare, për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë. PDIU, e cila është një parti e formuar nga shkrirja e dy partive që përfaqësonin komunitetin çam në vend, konsiderohet sot si një aleate kyçe për qeverinë “Berisha”, nisur edhe nga fakti se kjo parti përfaqësohet me dy deputetë në Kuvend.

Në këtë kuadër, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi përgjatë ceremonisë së krijimit së partisë së re, i kërkoi në mënyrë të qartë qeverisë që ta shtynte procesin e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare dhe të kërkonte më shumë konsulta në lidhje me këtë proces. /Telegrafi/