Qentë endacakë në Prishtinë me kujdes apo krizë? Përplasen komuna dhe aktivistët
Pas protestës së organizuar sot nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në kryeqytet, ku u kërkua trajtim më i mirë për qenët endacak, Komuna e Prishtinës ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat dhe duke sqaruar procesin e menaxhimit të qenve endacak.
Drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Brestovci, thotë për KosovaPress, se gjatë këtij aksioni janë larguar mbi 1 mijë e 300 qen nga hapësirat publike dhe se ky është hapi më i mirë që u ka ndodhur këtyre kafshëve të pambrojtura, të cilët më parë jetonin në rrugë pa strehë, ushqim apo kujdes veterinari.
“Në fakt, ne pamë që kemi pasur diku në afër tridhjetë protestues sot para ndërtesës së komunës, të cilët kanë shprehë shqetësimet e tyre në lidhje me krejt procesin që po ndodh me adoptimin e qenve dhe largimin e tyre prej hapësirave publike. Ne edhe opinionin publik, po natyrisht edhe protestuesit dhe çdo qytetar të kryeqytetit, po edhe të Republikës së Kosovës, i sigurojmë që ajo çfarë ka ndodhë me ata 1 mijë e 300 qentë të larguar gjerë më tani nga hapësirat publike, është gjëja më e mirë që mund t'u ndodhë të atyre kafshëve, të cilët pa fajin e tyre kanë qëndruar rrugëve, shesheve, bulevardeve dhe hapësirave publike. Të pambrojtur, pa kulm mbi kokë, pa ushqim, pa përkujdesje veterinare, pa higjene sanitare, pa shumëçka të cilat janë kushtet elementare për një jetë të një kafsheve, ndërsa ne me largimin e tyre nga hapësirat publike kemi mbërri që atyre t'u sigurojmë strehë mbi kokë, t'u sigurojmë ushqim permanent, t'u sigurojmë mbikëqyrje veterinare, higjienë sanitare dhe të gjitha kushtet, të cilat natyrisht i bëjnë edhe ato kafshë dhe në aspektin psikologjik të ndihen shumë më mirë sesa që e ndiej rrugëve dhe shesheve të kryeqytetit”, ka thënë ai.
Ai nënvizon se numri i kafshimeve ndaj qytetarëve në kryeqytet ka rënë ndjeshëm në vitin 2025, krahasuar me vitin 2024, falë këtij aksioni të vazhdueshëm.
“Në anën tjetër, përmes këtij aksioni dhe largimit të gjatë tanishëm, sepse ky aksion po vazhdon tutje deri në largimin e qenit të fundit nga hapësirat publike, kemi krijuar shumë më shumë siguri për qytetarët e kryeqytetit. Ne në vitin 2024 kemi pasur mbi 500 kafshime të raportuara, ndërsa gjatë këtij viti kemi një numër tejetë të vogël të këtyre kafshimeve, sepse po flasim për hapësira publike, në të cilat tani më 1 mijë e 300 qen ndodhen më pak se sa që kanë qenë vitin e kaluar. Po në anën tjetër kemi krijuar pastaj edhe një imazh tepër më të mirë të kryeqytetit, sidomos në ato hapësira publike, ku gjerë më tani kemi arritur që t'i largojmë këta qen. Ne jemi të përkushtuar që ta vazhdojmë aksionin tonë për largimin e qenve endacak, pretendimi ynë është që deri në fund të vitit i kemi larguar 2 mijë. Jep garancën më të madhe të mundur që të gjithë këta qen janë trajtuar në mënyrën më të mirë të mundur, duke filluar prej një kapjeje profesionale që ndodh nëpër bulevard e sheshe rrugë ku ata kapën prej një tretmani super profesional që ndodh pastaj në qendrën tonë të veterinarisë, ku ata sterilizohen, kastrohen, vaksinohen, shërohen prej sëmundjeve të ndryshme”, shton Brestovci.
Brestovci thekson se të gjithë qenët trajtohen me kujdes profesional, kapen, sterilizohen, vaksinohen dhe kurohen për sëmundjet e ndryshme.
Në lidhje me pretendimet për keqpërdorim të mjeteve publike, drejtori sqaron se Komuna ka miratuar subvencionimin e adoptuesve për të siguruar që kafshët të kenë strehë të përhershme dhe të mos kthehen në rrugë pas trajtimit.
“Absolut as edhe një e vetme nuk qëndron. Unë e kuptoj brengën e tyre. Mund të jenë të brengosur, mund të supozojnë diçka, mirëpo, fati ynë i mirë është që ne kemi edhe një komision të veçantë, i cili del çdo tre muaj dhe e konstaton gjendjen e tyre edhe fizike, edhe psikike, edhe psikologjike...Po pse po keqpërdoret paraja publike nuk e kuptoj. Ne e kemi pas një vendim të kryetarit, i cili është i miratuar edhe në Asamblenë Komunale që adaptuesit e qenve të subvencionohen, sepse ne nuk kemi paramenduar që mund të ndërmerret një hap i tillë për largimin e qenve nga hapësirat publike dhe strehimin e tyre duke mos qenë të gatshëm komuna që t'i mbulojë shpenzimet për ata qen, sepse do e kishim pastaj prapë një ripërsëritje, të gjitha asaj çfarë ka ndodhur ndër vite, që qentë të merren të trajtohen të sterilizohen kastronët, por prapë të lëshohen në vendin e kapjes. Ky nuk ka qenë qëllimi ynë. Qëllimi ynë nuk ka qenë që qentë pas trajtimit të kthehet prapë në vendin e kapjes, por ka qenë që ata të jepen në adaptim”, përfundon Brestovci.
Me moton “Kjo s’është dashni, është tregti, qytetarë nga xhepi, komuna për qejfi”, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, organizoi sot një protestë duke kërkuar trajtim më të mirë të qenve endacakë nga Komuna e Prishtinës.
Marshi protestues nisi nga sheshi “Skënderbeu” dhe përfundoi te objekti i vjetër i komunës, ku protestuesit vendosën edhe banera me mesazhe si: "Qentë janë jetë, jo problem", drejtësi për qentë, ndal mizorisë, mjaft na hodhët hi syve", "Nora, ke përgjegjësi ligjore për mirëqenien e qenve”.






























