Vladimir Putini duhet të kuptojë se ai nuk do të triumfojë në Ukrainë dhe se tërheqja e trupave të tij është e nevojshme përpara se të zhvillohen bisedimet e paqes.

Kështu, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë kancelari gjerman Olaf Scholz.


"Është e nevojshme që Putini të kuptojë se ai nuk do të ketë sukses me këtë pushtim dhe agresionin e tij imperialist - se ai duhet të tërheqë trupat", ka thënë Scholz për CNN.

"Kjo është baza për bisedime".

Scholz tha se beson se Ukraina është "gati për paqe".

I pyetur për një marrëveshje të mundshme për t'i dhënë fund luftës - ndoshta nga Ukraina duke pranuar se nuk do të rimarrë Krimenë ose pjesë të rajonit lindor të Donbasit - Scholz ka theksuar se vendimet mund të merren vetëm me përfshirjen e Kievit.

"Ne nuk do të marrim vendime në vend të tyre. Ne i mbështesim ata", ka shtuar ai.

Ai vazhdoi: “Ne i thamë (Ukrainës) se ata mund të aplikojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“(Dhe) Ata po punojnë për të bërë progres në të gjitha kriteret që janë të rëndësishme për këtë”. /Telegrafi/