LAJMI I FUNDIT:

Publicistika e Frano Kullit si shënjuese e dilemave të tranzicionit

Publicistika e Frano Kullit si shënjuese e dilemave të tranzicionit

Gjatë diktaturës, në lulishten kryesore të qytetit të Lezhës gjindej një ndërtesë përdhese e shëmtuar për nga forma dhe ende më për nga qëllimi. Ajo ishte godina e hetuesisë.

Ngrehina e zymtë u fliste qytetarëve sa me përzhitjen e saj në formë, po aq nëpërmjet lajmeve ogurzeza që dilnin s’andejmi. Ndonjë vit pas rënies së komunizmit, si një shndërrim hipostazash, aty u vendos një shtypshkronjë dhe shtëpi botuese me një emër të dashur, rrethuar me keqkuptime të shumta ideologjike, me emrin e Poetit Kombëtar – Gjergj Fishta. Kësaj sipërmarrje të guximshme, por edhe shpresëndjellëse, i kishte dhënë jetë gazetari i njohur Frano Kulli. Asokohe student, fillova ta frekuentoj godinën e “mnershme” e cila mbetej aty si dëshmi e vullnetit të njeriut për të bërë keq apo mirë.

Franoja, qysh tek shenjimi i emrit të Fishtës, kumtonte se ç’kishte ndërmend të botonte dhe të relaciononte me lexuesin dhe shoqërinë shqiptare. Fishten të parin e kësisoj të gjithë të ndaluarit e mëdhenj të kulturës kombëtare. Nëpërmjet miqsh të përbashkët, paçka se asokohe isha një student, fillova të shkoja aty shpesh e më shpesh, kureshtar për ata mekanizma të panjohur që shtypnin libra, por edhe përfitues pa pagesë i ndonjë libri të ri që pronari dhe botuesi i ri na i falte me bujari.


Lezha e viteve ‘90 kishte ende një bërthamë të rëndësishme shkrimtarësh, intelektualësh, të cilët e çmonin tej mase magjinë e librit dhe që shkonin me dëshirë në “magjen” ku gatuhej “brumi” i tij. Kam patur fatin të njoh disa prej tyre dhe t’i mbaj me nostalgji në kujtesë.

Në këso rrethanash jam njohur me Frano Kullin, një person tolerant me gjithkënd e për çfardo, por tejet qëndrestar, paqësor në mbrojtjen e bindjeve të veta intelektuale e kulturore.

Kulli ishte angazhuar qysh në fillim te viteve ’80 në shtypin e shkruar e shumë më tepër në kapërcyellin e viteve ’90 duke u rreshtuar në krahun e themeluesve të shtypit të lirë e opozitar në Shqipëri, në rang lokal po e po, por edhe kombëtar.

Si botues do të shquhej për kolanen e plotë të veprës së Gjergj Fishtës dhe të tjerëve martirëve të Kishës Katolike, prelatë e shkrimtarë të papërsëritshëm të këtij trualli. Veprimtaria librore e botuese e Frano Kullit i jep Lezhës një mistikë që shumë qytete shqiptare e kanë humbur në rrugëtimin e tyre tranzitiv. Aty e ndien aromën e librit të sapo shtypur… gjithë atë mister që tekstet bartin, qëkur njeriu i shkroi për të rrëfyer vetën dhe të tjerët.

Por, Frano Kulli mardhënien me librin nuk e ka shndërruar thjeshtë në punë, e cila i siguron jetesën. Jo, do të ishte një këndvështrim shumë reduktiv. Ai ka jetuar kulturalisht me autorët, librat dhe debatin rreth tyre, duke shkruar vetë për ta, duke i nxjerrë në dritë, duke i prezantuar dhe duke i mbrojtur shkrimtarët e tij të dashur pa ju munguar polemikave të forta, të cilat nuk e braktisin etiken publike.

Po kaq, ditë pas dite e vit pas viti nuk i është shmangur përgjegjësisë së fjalës së shkruar dhe të thënë për çështjet themelore rreth të cilave shoqëria shqiptare ka patur pritshmëri, zhgënjime e shpresa, keqkuptime e trazime, dhimbje e gaz, duke mos i ikur profesionit të parë atij të gazetarit që vërtetë e ka “mik Platonin” por më mik ka të vërtetën.

Në këtë libër që ai po i paraqet lexuesit shkartisen betejat e tij kryesore për të gjitha problemet kyçe të tranzicionit. Nga ato të së përditshmes të përmbledhuna në kapitullin “Kokëderrat e kënaqun” dhe “Sokrati i vuejtun” apo të tjera në kreun “Tymnajë , show dhe kohë e çmendun” duke i lënë gjysmës së librit atë që ka më për zemër, jo vetëm zgjedhjen krahinore origjinare nga Zadrima, por me gjasë koneksionin me Fishtën, të cilit i ka kushtuar vitet më të rëndësishme të kohës së tij e pse jo edhe të kohës që ka përpara përmes bashkëlidhjes me titull “Fishta dhe hijet përreth” !

Në këtë vazhdë shfaqet edhe nëntema e tij që e tërheq kudo e menjëherë pas autorit të Lahutës së Malcisë, ajo që mbase nuk e përlyen krejt ndërgjegjen e shoqërisë, por gjithnjë e më tepër të Franos së pa faj. Me pohimin “Martirët dhe ndergjegjia jonë e përlyeme” paraqiten një sërë shkrimesh që rrahin raportin e aktualitetit me kujtesën, me martirët, me krimet dhe plagët duke rrahur fort në kudhrën e katarsisit moral e kulturor për t’u çliruar nga dogmat, që na janë ngjitë si rriqna, duke gjetë një terren pjellor në boten shqiptare të këtyre 75 viteve të fundit.

Duhet lexuar ky libër për të kuptuar përpjekjet dhe dilemat që shenjojnë fizionominë e intelektualit dhe shoqërisë shqiptarë të tranzicionit , të atij intelektuali, që betejën e tij e bën çdo ditë, duke tejkaluar paragjykimet e të jetuarit dhe punuarit në “provincë”. Frano Kulli nga Lezha shkruan për opinion kombëtar, nga aty e përthyen universalen në raport me përmasën lokale dhe lokalen e nxjerr nga ”banaliteti i së përditshmes”, duke u shfaqur shpesh e më shpesh në organin kryesor të shtypit shqiptar tek gazeta “Panorama”! E bën këtë me kurajo, me insistim, me stil të “imponuar” nga “mësuesit” e tij, të cilët i boton e riboton prej mëse dy dekadash, me dashuri për kulturën si punëtor i saj , me zellin e reporterit si një gazetar me përvojë si një “zadrimor i butë”, që nuk mbyllet në shtëpi pa e thënë të vetën në fund të ditës , atë që ne e lexojmë në mëngjes.

Lezha i ka pasë në zë qysh motit punëtorët e fjalës, të cilët e kanë pasuruar historinë tonë kombëtare me vepra e bëma, në çdo etapë të saj. Gjatë këtyre viteve ka pësuar një zhbërje, një braktisje a mbase një topitje, por libra si ky i Frano Kullit, tema si këto, mënyrë shkrimi po kaq mbresëlënëse, të bëjnë me besue se perceptimi është relativ pse jo edhe i gabuar. Kultura nuk është sasi, as guximi e talenti. Frano Kulli i ka ato dhe është i vëtëmjaftueshëm si përfaqësues në zë i qytetit të vet e shumë më tepër.