PSG-ja merr një tjetër goditje të madhe, pas Dembeles i lënduar mbetet edhe Doue

Paris Saint-Germain është përballur me një tjetër problem serioz në repartin ofensiv, pasi Desire Doue është detyruar të largohet nga grumbullimi i kombëtares franceze për shkak të një dëmtimi në pulpë.
Ky është dëmtimi i dytë i rëndësishëm për kampionët e Francës gjatë kësaj pauze ndërkombëtare.
Më herët, Ousmane Dembele u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë të përballjes ndaj Ukrainës, pasi pësoi një tërheqje muskulore në kofshë, një zhvillim që ka shkaktuar zemërim te drejtuesit e PSG-së.
Sipas gazetarit Fabrice Hawkins, Doue do të largohet menjëherë nga kombëtarja për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore të detajuara në klubin parisien.
Ironikisht, pikërisht Doue ishte ai që zëvendësoi Dembelen në ndeshjen kundër Ukrainës të premten, ku Franca fitoi 2-0.
Hawkins raportoi gjithashtu se Dembele do të mungojë për rreth gjashtë javë, duke humbur ndeshjen hapëse të Ligës së Kampionëve ndaj Atalantas si dhe super ndeshjen e kampionatit kundër Marseille.
Ndërkohë, edhe Doue është konfirmuar jashtë loje për sfidën ndaj Atalantas, duke e përkeqësuar edhe më tej situatën për trajnerin Luis Enrique.
Raportohet gjithashtu se PSG kishte paralajmëruar stafin mjekësor të Francës që të ishin të kujdesshëm me Dembelen, pasi ai kishte shfaqur shenja lodhjeje dhe ishte i rrezikuar për dëmtim, paralajmërim që duket nuk u mor parasysh./Telegrafi/



















































