LAJMI I FUNDIT:

Pse është e rëndësishme të kemi aftësi të mira komunikimi?

Pse është e rëndësishme të kemi aftësi të mira komunikimi?

Tashmë është e vërtetuar se një nga shtyllat kryesore drejt suksesit është aftësia e mirë e komunikimit. Pa marrë parasysh ku ndodhemi, duhet të tregojmë aftësi të mira të komunikimit, qoftë me klientët, kolegët, apo stafin, kjo është thelbësore.

Çfarëdo që na ndodh, me çfarëdo që ballafaqohemi në jetën e përditshme apo edhe në punë duhet t’ia vendosim vetës disa parime bazë sa i përket komunikimit. Është shumë me rendësi që në cilindo kanal të komunikimit qoftë e-mail, rrjete sociale, telefon apo edhe platformat tjera të tregohemi profesional, të jemi të qartë në dhënien e informatave apo dërgimin e kërkesave.

Këtë duhen ta kenë parasysh personat që kanë të bëjë me klientë, përfaqësues të bizneseve apo institucioneve dhe kushdo qoftë që është person publik.

E gjithë kjo për ta zgjedhur situata, për të mbajtur raporte të mira dhe për të krijuar një ambient të lakmueshëm kudo që jemi.

Bashkëveprimi i komunikimit jo verbal me atë verbal

Komunikimi verbal është më i shpeshti dhe më i njohuri nga llojet e komunikimit. Është thelbësor për shumicën e ndërveprimeve, por ka edhe sinjale të tjera jo verbale që ndihmojnë në krijimin e kontekstit shtesë për vetë fjalët. Bashkëveprimi i komunikimit jo verbal me atë verbal siguron një mesazh më të plotë dhe më të qartë.

Komunikimi jo verbal – shprehje të fytyrës, gjesteve të dorës, qëndrimit dhe pamjes përcjellin shumëçka rreth folësit.

Komunikimi jo verbal ofron njëfarë pasqyre në zgjedhjen e fjalëve të një folësi. Sarkazma, mashtrimi ose vërtetësia ndodhin brenda komunikimit jo verbal. Këto gjëra shpesh komunikohen përmes shprehjeve të fytyrës, gjesteve të dorës, qëndrimit dhe madje pamjes, të cilat përcjellin mesazh nga folësi. Ju që keni të bëjë me paraqitje publike patjetër se duhet t’i keni parasysh sidomos njohuritë bazë të komunikimit verbal. Këtë mund ta arrini përmes trajnimeve online apo edhe të angazhoni persona që ofrojnë konsulencë në fushën e komunikimit.

Komunikimi vizual përforcon komunikimin verbal dhe ndihmon për t’ia arritur qëllimit

Llojet vizuale të komunikimit përfshijnë shenja, vizatime, si dhe dizajn ngjyrash ose grafikë. Këto zakonisht përforcojnë komunikimin verbal dhe ndihmojnë për t’ia arritur qëllimin. Pamjet vizuale mund t’i ndihmojnë një folësi të kujtoj tema të rëndësishme, t’i japë audiencës diçka për të parë dhe në përgjithësi të ndihmojë në përcjelljen e mesazhit që paraqitet.

Në vazhdimi, disa këshilla për të përmirësuar aftësitë tuaja të komunikimit

Dëgjimi aktiv – Merrni kohë për të praktikuar dëgjimin aktiv. Dëgjimi aktiv kërkon t’i kushtohet vëmendje atyre flasin, duke kërkuar pyetje sqaruese dhe duke riformuluar atë që personi thotë për të treguar respekt.

Gjuha e trupit – Kushtoni vëmendje sinjaleve jo verbale të njerëzve gjatë kohës që flasin. Shpesh, sinjalet jo verbale përcjellin se si një person ndihet vërtet.

Komunikimi i mirë verbal – Mundohuni të përcillni mesazhin tuaj me sa më pak fjalë të jetë e mundur. Thoni atë që dëshiron në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë kur jeni duke folur me dikë personalisht.

Përfundimisht, aftësia për të komunikuar në mënyrë efektive është një aftësi e rëndësishme për çdo fushë dhe situatë. Të jeni në gjendje të shprehni dhe të kuptoni mesazhet me sukses do t’ju ndihmojë të arrini qëllimet tuaja profesionale dhe personale. /Telegrafi/