LAJMI I FUNDIT:

Pse Dylani zgjodhi këtë foto, për kopertinën e librit të fundit?

Pse Dylani zgjodhi këtë foto, për kopertinën e librit të fundit?
Little Richard, Alis Lesley dhe Eddie Cochran

Mes Little Richardit dhe Eddie Cochranit është një yll i rokënrolit që pati karrierë të shkurtër muzikore. Pse Bob Dylan zgjodhi këtë të panjohur, për librin e tij të fundit me ese?

Nga: Christian Kriticos / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në ditët e para të pop-muzikës moderne amerikane, gratë artiste luftuan për të arritur njohjen e homologëve meshkuj. Kështu, u shfaq një si “metaforë” e re e marketingut. Kjo e etiketoi trumbetisten e xhazit, Ernestine “Tiny” Davis, si “Louis Armstrongu femër”. Bateristja e big-bendit, Viola Smith, u bë “Gene Krupa femëror”. Dhe, pianistja rokabillit, Alice Faye Perkins – që u shndërrua në Laura Lee Perkins – ishte “Jerry Lee Lewisi femëror”.


Por, asnjë artist nuk i frymëzoi më shumë homologet, sesa mbreti i rokënrolit. “Në kompanitë e ndryshme diskografike, dukej se ishte një nxitje e veçantë për të gjetur një ‘Elvis femëror'”, thotë Leah Branstetter, muzikologe e specializuar për gratë në valën e parë të rokënrolit.

Në mesin e shumë Elvisëve femërorë, ishte vetëm një që merr literalisht këtë rol. I lëmoi flokët dhe i stiloi për ta pasur efektin e zylyfeve. Mbajti kitarën në një rrip të gjatë dhe u bë e njohur për lëvizjet e papërmbajtshme. Dhe, merr emrin skenik, Alis Lesley, kështu që vetëm disa bashkëtingëllore e ndanin prej mbretit. “Nuk jam në dijeni nëse dikush u kap pas ‘Elvisit femëror’ si Alis Lesley”, thotë Branstetter.

Teksa kjo qasje i solli Lesleyt disa suksese në fillim, karriera e saj muzikore ishte jetëshkurtër. Në vitin 1959, në moshën 21-vjeçare, la rokënrolin. Gjatë disa dekadave, që nga ajo kohë, thuhet se ka dhënë vetëm një intervistë. Por, këtë vit Lesley u rikthye papritur në qendër të vëmendjes, kur u zbulua si figura mes Little Richardit dhe Eddie Cochranit në kopertinën e librit të ri të Bob Dylanit, i pari i tij që nga “Kronikat: Vëllimi I” i vitit 2004. Në nëntor, “Filozofia e këngës moderne” përfshin 60 ese nga Dylani, për këngët e artistëve tjerë. Në njoftimin për shtyp thuhet se imazhet e librit janë “përzgjedhur me kujdes”, duke nxitur spekulimet se përse duhej të zgjidhej artistja e panjohur si Lesley, për këtë kopertinë. Dylani, natyrisht, nuk ka komentuar.

Lesley filloi karrierën gjatë viteve të formimit të Dylanit, kështu që është e mundur që ai mund ta ketë njohur atë, apo edhe ta ketë parë duke kaluar nëpër qarkun e turneve të saj në ShBA. Ajo nisi të luante në klubet lokale të natës, me një grup të quajtur Arizona Stringdusters – në qytetin e saj të lindjes, në Feniks. Por, suksesi i saj i madh erdhi në vitin 1956, kur u ftua të performonte me muzikantin Buddy Morrow. Gjatë një interpretimi të pafrenuar të këngës “Blue Suede Shoes”, Lesley hoqi këpucët e veta. Publiku e pëlqeu dhe shpejt u hartuan oraret e turneve.

Kur Lesley performoi në Las Vegas, vetë Presley shkoi për ta parë. Thuhet se ishte sa duhet i impresionuar për ta rekomanduar për turneun e ardhshëm të Little Richardit në Australi. Shtypi nisi të interesohej dhe deklaroi se Lesley ishte “e destinuar të jetë yll afatgjatë”.

Publikoi disk-singlin e saj të parë në prill të vitit 1957. Fatkeqësisht, do të ishte gjithashtu i fundit. Me titullin “Heartbreak Harry”, albumi ishte lidhje dukshme me këngën e Presleyt, “Heartbreak Hotel”, që ishte më e shitura një vit më parë. Dhe, teksa merr një kritikë të favorshme në revistën “Cashbox”, që e quajti atë “një rokënrolere e mrekullueshme”, incizimi nuk arriti të tërhite vëmendjen e publikut. Në kohën e turneut në Australi, disa muaj më vonë me Little Richardin, Lesley veçse fliste për ta lënë muzikën. “Nuk do të plakem në shoubiz”, i tha ajo një gazetari. “Jam duke menduar për të ardhmen.”

Lajmet tjerat të shtypit të asaj kohe, aludonin për ambiciet e saj për të shkruar materiale origjinale. Branstetter pohon se ky mund të ketë qenë faktori prapa zhgënjimit të saj me biznesin muzikor. “Mendoj se intervistat me Alis Lesleyn tregojnë se ajo kishte shumë ambicie dhe se nuk e kishte ndërmend të ishte përgjithmonë ‘Elvisi femëror’. Ndoshta dëshira për të shkruar këngët e saj kishte të bënte me këtë”.

Kur Lesley u kthye në ShBA, foli edhe më sinqerisht për gazetat. “Në fakt, nuk më pëlqen shoubizi”, tha ajo. “Por, nuk mund të dal nga kontratat e mia, për të paktën dy vitet tjera”.

Gjatë këtyre dy viteve të ardhshme, ajo vazhdoi turneun, duke performuar një listë të mbushur me hitet e Elvisit – “Hound Dog”, “Don’t Be Cruel” dhe “Blue Suede Shoes”. Një herë ajo ndau suksesin me Bobby Darinin, pikërisht kur po bëhej superyll. Dhe, duket se ka qenë veçanërisht e njohur në Kuebek të Kanadasë, duke e vizituar katër herë këtë vend.

Përpjekja e fundit e Lesleyt për depërtim të madh erdhi më vonë, në vitin 1959, kur incizoi në “Sun Studio” – pikërisht në vendin ku Elvisi filloi karrierën. Bëri gjashtë versione të këngës së Charlie Richit, “Handsome Man”, por marrëveshja nuk u realizua. Në fund të vitit, Lesley u largua përgjithmonë nga skena muzikore.

Pak gjëra që dimë për vitet e mëvonshme të Lesleyt, vijnë nga intervista e vetme që ia dha studiuesit Will Beard, pjesë të së cilës u botuan nga Hank Davis në kompletin e CD-ve, “Memphis Belles: The Women of Sun Records”. Sipas asaj që tha, Lesley u kthye në shtëpi për t’u kujdesur për nënën e sëmurë. Merr një diplomë në arsim dhe punoi ngushtë me komunitetet vendase amerikane, si edukatore dhe si misionare. E kaloi pensionin “duke udhëtuar nëpër botë” dhe e mbijetoi kancerin në vitet 1990.

Lesley sot është 84 vjeçe dhe ende jeton në Feniks. Dhe, megjithëse qëndron larg syrit të publikut, e kujton me dashuri karrierën e saj muzikore: pasi gazetari vendas Ed Masley shkroi për të në “Arizona Republic”, në fillim të këtij viti, ajo i shkroi atij duke ia shprehur mirënjohjen që u kujtua dhe tha se mezi e pret botimin e librit të Dylanit.

Por, nëse Leslie ka ndonjë teori se pse Dylani mund të ketë zgjedhur imazhin e saj për kopertinën, ajo ende nuk i ka shprehur ato.

Laura Tenschert, prezantuesja e podkastit “Definitely Dylan”, e cila gjithashtu është anëtare në bordin e Institutit të Universitetit të Tulsës për Studimet e Bob Dylanit, sugjeron se zgjedhja e imazhit mund të mos jetë për Lesleyn, por për kombinimin e saj krah Little Richardit dhe Cochranit. “Duket si pranim i rrënjëve të ndryshme të muzikës moderne amerikane”, thotë ajo.

Ajo thotë se “tri figurat në kopertinë mund të shihen se përfaqësojnë anët e ndryshme të identitetit muzikor të vetë Dylanit”. Për Lesleyn, ky përfaqësim mund të jetë si supozimin për personalitetin tjetër të artistit. Dylan kishte qasje të ngjashme në vitet e tij të hershme, duke e modeluar veten sipas këngëtarit popullor, Woody Guthrie. Por, aty ku Dylani ishte në gjendje të lëvizte përtej kësaj dhe të gdhendte identitetin e vet, ambiciet e Lesley duket se ishin lënë tërësisht në hije nga personaliteti i “Elvisit femëror”.

Për më shumë, kopertina mund të shihet si pranim i natyrës kalimtare, të asaj që Dylani e quan “kënga moderne”. Branstetter vë në dukje se të tre artistët në kopertinë, u larguan nga skena muzikore “brenda dy vjetëve, pas momentit të realizimit të kësaj fotografie”. Little Richard u largua për t’u bashkuar me shërbimin fetar. Lesley e tregtoi kitarën e saj për një jetë më të qetë. Dhe, Cochran vdiq në një aksident automobilistik, në moshën 21-vjeçare.

Karriera e Dylanit ka pasur jetëgjatësi shumë më të madhe. Por, ka qenë gjithmonë i vetëdijshëm për natyrën kalimtare të muzikës popullore. Kur e pyetën se si ndihej kur revista “Rolling Stone” e shpalli këngën e tij “Like a Rolling Stone” si më të mirën të të gjitha kohërave, ai thjesht ngriti supet dhe u përgjigj: “Kush do të tregojë se sa do të zgjasë kjo”? (Në të vërtetë, në një përditësim të fundit, “Rolling Stone” e çoi këngën e Dylanit në vendin e katërt.)

Ndoshta disa nga qëndrimet e Dylanit janë të përmbledhura në atë imazh të kopertinës. Fytyrat e Alis Lesleyt, Little Richardit dhe Eddie Cochranit janë me buzëqeshje, plot rini dhe shpresë, në qendër të një revolucioni muzikor – duke mos e ditur se gjithçka do të përfundojë më herët se ndonjëri prej tyre do të mund ta priste këtë. Dylani u bën homazhe dhe nder këtyre pionierëve të rokënrolit që erdhën përpara tij. Por, ndoshta, ai gjithashtu pranon se sa i shkurtër ishte momenti i tyre – se si “e tashmja më vonë do të jetë e kaluar” dhe “kënga moderne” e sotme është historia e së nesërmes. /Telegrafi/