LAJMI I FUNDIT:

Pse duhet ta vizitoni Novobërdën!

Novobërdë ose Artanë ose sinonimi i historisë dhe natyrës së bukur, quajeni si të doni, ajo se çka ju bën përshtypje është historia dhe bukuritë natyrore që posedon.

Novobërda ndodhet rreth 40 km në lindje të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Historia e saj daton qysh nga koha e neolitit ose thënë ndryshe para Krishtit ndërsa vlera historike që e i jep kuptim Novobërdës ose thënë ndryshe si katalizator i vizitorëve është Kalaja, një monument tejet i veçantë ku prej saj shihen tri komuna si në pëllëmbë të dorës, kjo Kala daton përafërsisht në shekullin e 12 dhe 13-të sipas analizave karbonike të drunjtëve që janë bërë ku këta drunjë thuhet se kanë qenë të periudhës 1230 – 1260 por edhe më herët.

Përveç Kalasë, Novobërdën e veçojnë dhe monumentet e kategorisë së veçantë si xhamia, katedralja e Shën Nikollës, Kishën e Shën Gjonit, Kishën saksone.

Novobërda pra ngërthen në vete edhe bukuritë natyrore, po e theksojmë se atë e  veçon kodra e madhe që njihet për lartësi mbidetare deri 1260m, është pika në pjesën lindore, shumë e përshtatshme për hiking në terren, po ashtu minierat e vjetra, boshtet e ventilimit si dhe drurin e veçantë mështeknën që rritet në Novobërdë.

Këto informata rreth historisë dhe bukurive natyrore të Novobërdës për Telegrafin ishte kënaqësi ti dëgjonim nga përfaqësuesi i guidës për atë zonë z.Fitim Bunjaku, i cili në pika të shkurta na flet pak edhe se a është vend i përshtatshëm për jetesë Novobërda:

“Lartësia mbidetare në Novobërdë është prej 900 deri 1100m, thënë ndryshe lartësia më e përshtatshme për jetesë dhe sidomos për personat që kanë probleme me sëmundje kardiologjike, si dhe e përshtatshme për të gjitha moshat. Tani njerëzit po investojnë në bujtina të ndryshme ku po shkojmë drejt zhvillimit ekonomik. Ajo çka i duhet Novobërdës është angazhim më i madh institucional si ai komunal por edhe ai qendror, me një fjalë ka nevojë për mbrojtje, investime dhe konzervime.”

Novobërda ose Artana njihet për disa legjenda që janë të bazuara në realitet, po e theksojmë njërën prej tyre ku thuhet se civilizimi në pjesën lindore dhe jugore të Kosovës ka rrjedh prej Artanës sepse ka qenë qytet me mbi 40 mijë banorë.

Kështu që ju preferojmë të gjitha gjeneratave të reja dhe sidomos ekskursionet shkollore ta kenë pikë të vizitës Novobërdën sepse është vendi më i pasur për nga trashëgimia kulturore në Kosovë.

Thënë shkurtë, Novobërda është vendi i duhur për tu arratisur për një vikend të qetë afër Prishtinës por fare larg zhurmës së qytetit.

Artikull i sponzorizuar