Nga: Olivia Petter / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Asgjë nuk është më romantike sesa një marrëdhënie që nuk ndodhi kurrë në të vërtetë. E ruajtur në sferën e mundësisë, ajo është dinamika që ekziston në një hapësirë krejtësisht pranë kufijve; nuk jeni vërtet bashkë, por ka mjaft prova për të sugjeruar se, nëse të gjitha yjet papritmas rreshtohen, një ditë mund të jeni. Dhe, kështu kapesh pas kësaj, duke menduar, duke pritur, duke shpresuar.


Kjo është “pothuajse marrëdhënia”, një dinamikë që ka pushtuar kulturën pop (Normal People), letërsinë (Wuthering Heights) dhe prej shekujsh njerëzit e përhantë romantikë (hej, kthjellu!). Për të qenë e qartë, kjo nuk është njësoj si një “lidhje as andej as këndej” [situationship]. Takimet moderne janë mjaft të ndërlikuara që kjo të jetë një problem më vete i karakterizuar nga një marrëdhënie romantike me një mungesë të dukshme etiketash apo përkushtimi, si dhe një mungese acaruese të qartësisë. Është e tmerrshme, por gjithashtu ndryshe.

Pothuajse marrëdhënia është ajo që ekziston mbase tërësisht në imagjinatën tënde. Ndoshta keni bërë seks një ose dy herë dhe për një moment të shkurtër, në kohë, diçka e prekshme ishte në horizont. Por, pastaj jeta ndërhyri: ndoshta një ish u kthye në skenë, ose njëri prej jush nuk ishte krejtësisht i sigurt. Ndoshta kishte një krizë pune, ose një i afërm i sëmurë që kërkonte gjithë vëmendjen tuaj.

Çfarëdo që të ketë qenë, marrëdhënia nuk u konkretizua kurrë. Ishte, në mënyrë metaforike, një flakë që ende nuk u lejua të digjej. Por, disi, diçka diku vazhdon të përpiqet ta ndezë sërish. Një flirt i lehtë këtu, një shikim i gjatë atje. Dhe, kështu mundësia e rindezjes mbahet gjallë, herë pas here, për një kohë të mundimshme të gjatë.

Kjo është premisa për një serial të ri në Mubi të quajtur Los años nuevos [Vitet e reja], një dramë spanjolle për dy njerëz që takohen për herë të parë në natën kur mbushin 30 vjeç - që përkon me natën e Vitit të Ri. Ana dhe Oskari kalojnë papritmas së bashku një natë romantike, dhe pjesa tjetër e serialit i ndjek ata gjatë 10 netëve të mëvonshme të Vitit të Ri, duke përshkruar se si marrëdhënia e tyre lëviz lart e poshtë gjatë viteve.

Sapo e pashë episodin e parë, u fiksova. Nuk është çudi që kaq shumë nga librat dhe filmat e mi të preferuar shpesh i përkasin këtij zhanri: Before Sunset, One Day, Past Lives. Nuk jam e sigurt çfarë është ajo që e bën këtë dinamikë që është pafundësisht kaq tërheqëse. Për arsye të dukshme, nuk është marrëdhënia më e shëndetshme për të dëshiruar. Por, ndoshta kjo është e gjitha: dëshira është ajo që na mban të mbërthyer. Sepse, nuk ka një fillim apo fund të vërtetë në një pothuajse marrëdhënie, ka vetëm shumë mall. Dhe, sado vetëshkatërruese që mund të jetë, ka diçka të këndshme në të qenit në atë gjendje.

Jam e bindur që kjo është arsyeja pse përfundova në kaq shumë dinamika të pashëndetshme marrëdhëniesh gjatë të njëzetave të mia, duke dëshiruar njerëz që i kisha puthur një ose dy herë dhe duke e bindur veten se ata ishin shpirti im binjak - sepse përshtateshin me tregimin që kisha ndërtuar në kokën time. Ka gjithashtu një ndjenjë sigurie në pothuajse marrëdhënie: një pothuajse i dashur nuk mund të të lëndojë, të të lërë ose të të tradhtojë. Dhe, gjithashtu, ndoshta ka një element shmangieje këtu. Duke u mbështetur në pothuajse marrëdhënie, humb gjithçka që është reale. Kjo përfshin dashurinë. Por, natyrisht, përfshin edhe dhimbjen.

Ende nuk e kam përfunduar Vitet e reja, kështu që nuk jam e sigurt nëse Ana dhe Oskari përfundojnë bashkë. Një pjesë e imja shpreson që po, sepse a nuk është kjo gjithmonë ajo që duam nga një pothuajse marrëdhënie? Por, një pjesë tjetër, më e rritur, shpreson që jo. Sepse, kjo do t’i çlironte ata nga çdo lloj prangash emocionale që i kanë lidhur dobët së bashku për një dekadë dhe, me shumë gjasa, i kanë penguar ata të jenë me dikë tjetër në një mënyrë kuptimplotë.

Përveç kësaj, siç do të argumentonte cinikja brenda meje, pothuajse marrëdhënia është, në fund të fundit, vetëm një shenjë e mospërputhshmërisë. Sepse, nëse dy njerëz janë me të vërtetë të destinuar të jenë bashkë, asgjë nuk duhet t’i ndalojë ata. /Telegrafi/