LAJMI I FUNDIT:

Protestojnë punëtorët e pastrimit në Pejë, të pakënaqur me pagën 300 euro

Protestojnë punëtorët e pastrimit në Pejë, të pakënaqur me pagën 300 euro

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Ambienti” në Pejë, thonë se janë të diskriminuar me pagat që marrin. Por pretendimin për diskriminim në paga e kanë vetëm punëtorët të cilët punojnë në teren, por jo edhe ata që janë në administratë.

Punëtorët mbajtën protestë një orëshe, duke kërkuar që kërkesa e tyre të plotësohet.

“Një zyrtar i administratës që punon në ndërmarrje merr rrogë 900 euro, ndërsa punëtorët që as doreza të mira nuk kanë i marrin 300 euro”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Gezim Kolina.


Tutje Kolina shtoi se Bordi Menaxhues i ka rritur pagat e administratës, ndërsa që punëtoret e tjerë kanë mbetur me po të njëjtat paga.

“Kemi kuptuar që administratës i janë rritur pagat ndërsa punëtorët tjerë janë anashkaluar. Fati ka qenë që ne e kemi kuptuar që janë rritur pagat e ne jemi anashkalua. Ne jemi mbledhur këto sot në një protestë të vogël njëorëshe”, deklaroi më tej Gezim Kolina.

Në anën tjetër, Nexhat Abdullahu, drejtor i Ndërmarrjes Publike ”Ambienti” ka thënë se nuk ka pasur rritje, por vetëm nivelime. Sipas tij, nivelizimi i pagave është obligim ligjor dhe nuk duhet të ketë ndonjë pengesë.

“Adminitrata i ka rreth 40 punëtorë dhe është bërë nivelizimi i pagave për dy-tre prej personave kryesor. Rritje të rrogave nuk ka pasur pasi kur bëhet rritja, bëhet për gjithë administratën”, deklaroi Nexhat Abdullahu.

Ndërsa Xheladin Gashi, Menaxher Operativ ka thënë se punëtorët janë ankuar edhe më herët, megjithatë ankesat e tyre nuk janë përfillur, pavarësisht shpresave që u janë dhënë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/